Featured
“Kulla e Sheremetit” – një monument që po shembet me kujtime të zbehta

Disa hapa në të majtë të “Parkut të Paqes” që gjendet në Pejë, është një rrugë emrin e së cilës e mbanë edhe kulla përskaj. Në pjesën e përparme të kullës gjysmë të rrënuar, vërehet një gurë 4 a 5 herë më i madh se të tjerët. Pas Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1947 “banorët” e keqtrajtuar, të uritur e këmbëzbathur tentonin ta përdornin atë, për një qëllim të vetëm: shpëtimin nga burgu më famëkeq në atë kohë, i njohur si “Kulla e Sheremetit”.
Shkruan: Arta Desku
Ky monument historik që ka arritur t’i rezistojë dy luftërave, po shkatërrohet vetvetiu për shkak të mungesës së restaurimit të premtuar për vite me radhë, fjalë këto që nuk po arrijnë më ta mbajnë në këmbë këtë objekt.
Historia e saj ka mbetur nën rrënoja, teksa bari i rritur, drunjtë, mbeturinat e gurët e dalë jashtë vendi sikur duan që kjo ndërtesë të harrohet një herë e përgjithmonë.

Pamje brenda kullës
E nga nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) po thonë se është përpiluar projekti për restaurimin e kësaj ndërteseje, por që janë në pritje të vendimit të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve.
Drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë në kuadër të MKRS-së Vjollca Aliu, për Ndërtimi.info ka treguar se objekti është përfshirë në programin për investime, njëherësh është përpiluar edhe një projekt i detajuar për restaurimin e saj.
“Marrë parasysh gjendjen e ndërtesës dhe rëndësinë që ka, ne e kemi përfshirë në programin e investimeve kapitale për vitin 2018. Po ashtu është hartuar edhe projekti detal për konservim-restaurim të plotë të saj. Meqë kulla ka status të mbrojtjes, projekti kërkon edhe shqyrtimin dhe vlerësimin e Komisionit Profesional në kuadër të Institutit të Kosovës për Mbrojtje të Monumenteve (IKMM ). Prandaj jemi në pritje të këtij Vendimi, i cili i hap rrugë procedurave për zbatim te projektit”, ka deklaruar Aliu.
Premtimet si këto pronari i Kullës Sheremetit, Rexhë Muriqi ka marrë edhe shumë vite më parë, madje ai për Ndërtimi.info rrëfeu se nuk i është dorëzuar asnjëherë asnjë projekt konkret. Një gjë që dihet sigurtë është se gjithçka në atë kullë po shkon drejtë shkatërrimit.
“Ministria e Kulturës e ka marrë përsipër ndërtimin e saj dhe sivjet ka ndarë një shumë prej 40.000 euro dhe pritet që kjo shumë të publikohet dhe të shkohet procesi në tenderim, për ndërtimin dhe riparimin e saj, por kur saktësisht kjo gjë do të ndodhë akoma nuk e dimë”, rrëfen Muriqi.
Ngjashëm i është thënë edhe Florije Berisha, njëherësh motra e Rexhë Muriqit, e cila banon në anën e djathtë të këtij objekti.
Ajo ka treguar për Ndërtimi.info se shumë herë ka kontaktuar me Ministrinë e Kulturës, për të ditur se çka do të ndodhë me fatin këtij monumenti që është në mbrojtje të trashëgimisë, por përgjigjja që ajo kishte marrë çdo herë ishte: “rregullimi i saj do të bëhet shumë shpejtë”, duke vazhduar kështu për vite të tëra.
“Kemi kontaktuar me Ministrinë e Kulturës dhe për vite me radhë na kanë siguruar se do ta rregullojnë. Të njejtën përgjigje e kemi pas se po planifikohet të bëhet restaurimi i saj, por deri tash nuk është bërë asgjë”, ka thënë zonja Berisha.
E rrezikuar nga shembja e “Kullës së Sheremetit” ndjehet edhe familja Muriqi, që në anën e majtë ndanë të njëjtin oborr me ish-burgun e famshëm e famkeq. Kjo familje madje ka edhe 3 fëmijë të vegjël, të cilët nuk mund të lëvizin lirshëm brenda oborrit për shkak të gurëve që kanë rënë nga pjesa e sipërme e ndërtesës, e nga shumë të tjerë që rrezikojnë dita-ditës të bien.
Kryefamiljari Visar Muriqi ka treguar se shkallët e vjetra i kanë rregulluar vetë, por që nuk po ndjehen aspak të sigurtë.
“Unë banoj këtu së bashku me bashku me familje, por më së shumti frikësohem për fëmijët e vegjël të cilët shpeshherë dalin të luajnë në oborr, e ky vend nuk është aspak i sigurtë… Në pjesën e sipërme të kullës kanë rënë shumë gurë, e shumë të tjerë rrezikojnë të bien. Shkallët kanë qenë të vjetruara dhe është dashur që vet të bëjmë restaurimin e tyre”, ka potencuar Muriqi.
Për gjitha këto Ndërtimi.info ka tentuar të marrë përgjigje nga Instituti i Kosovës për Mbrojte të Monumenteve, në lidhje me vendimin e që po pret MKRS për restaurimin e kullës, por asnjë përgjigje nga ata nuk u dha.
Historia e Kullës së Sheremetit është dëshmi e rezistencës së shqiptarëve në represionin e bërë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Shembja e gurëve nga njëri ballë i kullës
Monumenti që mbrohet si pjesë e Trashëgimisë Kulturore të Kosovës, deri në vitet e ’80 gdhendur mbante emrat e gjithë viktimave që ishin brenda saj. Kujtimet për atë vend, edhe sot shumë prej të moshuarve dëshirojnë t’i harrojnë, ndonëse pothuajse të gjithë kanë nga një histori të trashtë për të rrëfyer.
Historia tregon se tatëpjeta jashtë objektit orientonte të arratisurit të iknin në dy drejtime: njëri në pjesën veri-lindore që çon në Zatra (ku pothuajse askush nuk shpëtonte) e tjetri për në qytet. Të gjithë të burgosurit që përmes intelektualitetit mund të jepnin çfarëdolloj kontributi lidhur me çështjen e Kosovës apo Shqipërisë shfaroseshin menjëherë nga shërbimet sekrete jugosllave për shkak të represionit politik që ushtrohej atë kohë.

“Kulla e Sheremetit”, para luftës së fundit
Viti i saktë i ndërtimit akoma nuk dihet saktësisht, por thuhet të ketë qenë në gjysmën e parë të shek. XIX. Para Luftës së Dytë Botërore, ajo kishte tjetër funksion e për një kohë të gjatë kishte qenë e banuar nga familja Sheremti, kurse nga fundi i viteve të ’70-ta është në pronësi të Rexhë Muriqit.
Gjatë rrëfimit Muriqi ka treguar se brenda monumentit ka qenë edhe një tjetër kullë ekzistuese që është djegur gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Në pjesën e poshtme të kullës, ishte edhe një kullë tjetër gjysmë e rrënuar por mjaft e banueshme, e cila gjatë vitit 1999 u dogj nga serbët. Ajo shërbente më shumë si pjesë administrative e burgut”, është shprehur pronari.
Ai ka treguar se objekti ka një strukturë mjaftë komplekse dhe interesante.

Kati i dytë i Kullës
“Në katin e parë gjendet një dhomë 10 x 10, në katin e dytë kanë qenë 2 ose 3 dhoma dhe një banjo. Hapësirën e katit të dytë e kemi përdorë për një kohë dhe sipërfaqja e saj është 1.5m me 1.5m. Nuk kishte dritare e dyshemeja ishte e shtruar me beton. Në të gjendej edhe një vrimë e rrumbullakët me diametër rreth 15 cm deri në 20”, ka theksuar ai.
Se në këtë kullë keqtrajtoheshin njerëzit e dëshmon edhe mbishkrimi që akoma gjendet në një pjesë jo shumë të dukshme të objektit.
“Kulla ka pllakatën në mur, në pjesën e përparme ka rruga me mbishkrimin në gjuhën shqipe dhe serbe se ka qenë burg. Një palë shkallë që gjendeshin brenda, në fund të katit përdhesë, që të conte në katin e dytë, flitet për shumë tortura që i ishin bërë të burgosurve, në prezencën e të gjithëve, si lidhja e tyre dhe rrokullisja nëpër shkallë, e keqtrajtime të shumta nga të cilat ushtruesit e dhunës ndjenin shumë kënaqësi, duke treguar forcën e tyre”, theksoi Muriqi.

Hyrja në katin e parë të kullës
Për shumë tortura e figura të njohura shqiptare, që u vranë në këtë burg, flet edhe Albert Kotini, në një artikull të quajtur “Një klithmë nga Kulla e Sheremetit”.
“Inskenimi i hapjes se burgut te Sheremetit me 11 gusht 1947, ishte pjese e një skenari te paracaktuar për “heqjen qafe” nje here e mire te kokëçarjes qe sillte për shërbimet sekrete jugosllave, mbetja gjalle e intelektualeve, politikaneve dhe nëpunësve te larte shqiptare nga Kosova e Shqiperia, te cilet kishin nje “te mete te madhe” te përbashkët: Ishin antikomuniste, atdhetare ose te paktën, e shihnin me shume dyshim regjimin e ri te instaluar ne te dyja anet e kufirit. Ndaj dhe u shfarosen rrugëve të Pejës dhe rrethinave, disa dhjetëra “të arratisur” kufomat e të cilëve u lanë te kalbeshin me dite te tera: Skender Curri, Xhelal Preveza, Muharrem Mitrovica, Mustafe Muriqi, Jahe Sali Elezaj etj. Vetëm pas dy javësh, kur era e keqe u be problem e padurueshëm, komunës iu dha leja te mblidhte kufomat, për t’i varrosur pa emër në një varr të përbashkët, tek vendi jashtë qytetit i quajtur “gropat e zeza”. Mes tyre ishte edhe shkencëtari i veterinarisë, studiuesi i letërsisë dhe njëherësh profesori nga Tirana, Sulejman Lleshi, thuhet në këtë artikull të Kotinit.
Për restaurimin e kësaj kulleje, me theks të veçantë të gjitha kullave që gjenden në rrafshin e Dukagjinit, muajin e kaluar pati premtuar edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, ndërkohë që mbetet të shihet kur do të fillohet zbatimi i projektit për restaurim./Ndërtimi.info
