Aktuale
Kulla e Reçakut, kujtime të dhimbshme fshihen prapa mureve të saj
Është kulla e kujtesës. Këtu ruhen fotografitë dhe gjërat personale të dëshmorëve të kombit, por edhe të viktimave të masakrës së Reçakut. Nëpërmjet tyre, në odë rrëfehen kujtimet për ta. Historitë janë të llojllojshme.
Ish-ushtari i UÇK-së, Nexhmedin Jakupi, është ciceron i kullës. Ai ka sjellë gjërat personale të babait Ahmet Jakupi dhe vëllait Xheladin Jakupi, viktima të masakrës. Xheladini ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç.
Portretet e Adem Jasharit dhe Skënderbeut qëndrojnë ballë për ballë, raporton KTV.
Çanta e dëshmorit të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare më 2001 në Maqedoni është amanet i nënës së Ilhami Kamberit për Abdullah Musliun, iniciator për ndërtimin e kullës. Ai e solli në kullë.
Armët janë sjellë nga mërgimtari Shefid Jakupi. Musliu e Jakupi thonë se i ekspozuan meqë ngjasojnë me armët që gjatë shekujve ishin përdorur nga kryengritësit shqiptarë.
Musliu shpjegon arsyet pse bashkëfshatarët vendosën që ta ngrehin kullën si monument kujtese.
Shqiponja është vepër e artistit Përparim Behluli, mësimdhënës i artit.
Bazamenti iu ndërtua qëllimshëm me gurë e në formë plisi.
Kulla u përurua para dy vjetësh. U ndërtua me donacionet e bashkëfshatarëve, mërgimtarëve dhe qytetarëve vullnetarë. Në katin e parë ekspozohen fotografitë dhe bustet e dëshmorëve të Zonës Operative të Nerodimes, dhe fotografitë e viktimave të masakrës së 15 janarit të vitit 1999.
Por brenda e jashtë kullës, nuk ka vend për flamurin e Kosovës.
Mirëpo, gjeneralët me flamurin e Kosovës në krah drekuan në kullë disa ditë pas shndërrimit të FSK-së në Ushtri. Momente si këto, Musliu e Jakupi i përjetësojnë në fotografi.
Makina e komandantit, Ahmet Kaçiku, të rënë katër ditë pas masakrës, është vendosur afër lapidarit të tij. Oborrin e kullës muze e rrethojnë edhe lapidarët e tre dëshmorëve të tjerë.
Një ditë para 21-vjetorit të masakrës, nga dritaret me qemer lëshohet flamuri kombëtar.
Pas pak, lart në odë, jehon kënga e veteranit Beqir Ismajli dhe Lulëzimit, vëlla i dëshmorit Islam Neziraj.
Para se t’u bashkohet, Musliu thotë se shqiptarët u kanë kënduar heronjve e viktimave edhe në përvjetorë betejash e masakrash.