Connect with us

Aktuale

Ku do të shkojnë taksat e qytetarëve pas përfundimit të autostradave?

Published

on

Derisa shumë qytetarë merrnin rrugën për në vendet e tjera për të gjetur ilaç për sëmundjet e tyre, shteti derdhte para për ndërtimin e autostradave. Nuk shkoi shumë kohë e dolën edhe rezultatet e PISA-s, e nxënësit kosovarë dolën me rezultatet më të dobëta në botë. Pavarësisht këtyre rezultateve, vazhduan investimet në autostrada, e u lanë anash fushat e tjera. Por, duket se kjo gjendje do të ndryshojë. Në Qeveri thonë se buxheti do të marrë kahje tjetër. Gazeta Express ka folur me ekonomistët Lumir Abdixhiku, Muhamet Mustafa e Naim Gashi të cilët kanë treguar se ku duhet të shkojnë taksat e qytetarëve.

Asfalti ishte premtimi kryesor i secilës parti që synoi të merrte pushtetin ndër vite.

Madje, me premtimin për shtrimin e rrugëve me asfalt e ndërtimin e autostradave, shumë prej kandidatëve edhe i fituan zgjedhjet e edhe sot e kësaj dite udhëheqin me komunat e Kosovës.

Përveç komunave, edhe secila qeveri që erdhi në pushtet, pothuajse gjithë buxhetin e shtetit e orientoi në ndërtimin e rrugëve e autostradave, disa prej të cilave i kushtuan shtetit me miliona euro humbje, si shkak i neglizhencës.

Ndërkohë, që fushat e tjera të cilat kishin nevojë për investime, pothuajse gjithmonë u lënë anash. Edhe pse qytetarët kërkonin vazhdimisht shërim jashtë vendit, pasi që ai nuk iu ofrohej në Kosovë e nxënësit kosovarë dolën me rezultatin më të dobët në botë në testin e PISA’së, në këta sektorë nuk pati investime.

Por, një gjë e tillë duket se nuk do të vazhdojë edhe për shumë gjatë.

Pas përfundimit të projekteve infrastrukturore, buxheti i Qeverisë pritet të marrë kahje tjetër. Paratë e shtetit viteve të tjera pritet të orientohen kah siguria, zhvillimi ekonomik, arsimi e shëndetësia.

Së paku kështu deklarojnë nga ekzekutivi.

Në Qeverinë e Kosovës thonë se shumica e projekteve infrastrukturore janë nga kontratat e viteve paraprake, dhe si të tilla Qeveria i ka respektuar dhe ka vazhduar me projekte të tjera të nevojshme.

Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi  thënë  se Qeveria është e përkushtuar që brenda tri viteve t’i përfundoj këto projekte.

Gashi thotë se prioritet e Kryeministrit Haradinaj që nga marrja e pushtetit kanë qenë fuqizimi i rendit dhe ligjit, zhvillimi ekonomik dhe arsimi. Derisa thotë se në fokus të Qeverisë do të jetë edhe përmirësimi i sistemit shëndetësor në vend.

“Që në fillim të mandatit Ministrisë së Shëndetësisë i është dhënë buxhet shtesë, derisa tani përmes përmirësimit të menaxhimit, po tentohet që të avancohen shërbimet për pacientët”, thuhet në përgjigjet e Gashit.

E nga njohësit e ekonomisë investimi në autostrada me para të buxhetit po konsiderohet si i gabuar, pasi që siç thonë se këto projekte do të mund të financoheshin nga kreditë afatgjate.

Deputeti nga radhët e LDK’së, Lumir Abdixhiku ka thënë se alokimi i deritanishëm i Buxhetit të Republikës nuk ka adresuar asnjëherë nevojat bazike të qytetarëve.

“Për më tepër nuk ka krijuar as bazën e nevojshme për një rritje ekonomike që gjeneron vende të reja pune e mirëqenie. Investimet kapitale, ato të rrugëve e autostradave, do të mund të financoheshin nga kreditë afatgjate – siç bën secili shtet normal – e jo nëpërmjet parave të buxhetit”, thotë Abdixhiku.

Sipas Abdixhikut, është e domosdoshme që shpërndarja buxhetore të bëhet në tri fusha që krijojnë mirëqenie e sigurojnë ambient të favorshëm ekonomik.

Deklaron se investimet më të mëdha duhet të bëhen në shëndetësi, arsim e gjyqësi. Derisa thotë se ndarja e buxhetit në këto tri fusha është domosdoshmëri.

“Mjetet e tanishme në këto fusha janë të ndërlidhura me rezultatet që i kemi; pra arsimin me rezultatet e PISA-s; shëndetësinë para kolapsit; e gjyqësinë inekzistente. Shpërndarja e buxhetit në këto tri fusha është domosdoshmeri; është investim i paalternativë”, ka thënë Abdixhiku.

Edhe njohësi i ekonomisë, Muhamet Mustafa thotë se disa projekte infrastrukturore kanë mundur të presin së paku pesë deri në dhjetë vite. Mustafa deklaron se tani do të duhej të investonim në shëndetësi, pasi që siç thotë me vite është lënë pas dore.

“Gjithmonë do të ketë nevoja për investim në infrastrukture rrugore, por mund te thuhet se projektet me kosto më të larë po përfundojnë për 1 ose 2 vite. Në të ardhmen ndërtimi i rrugëve do të ishte mire të bëhej me burime tjera financiare e jo me kesh nga buxheti.

Tash do të duhej të investonim për të krijuar standarde ndërkombëtare në shëndetësi e cila është lënë me vite pas dore”, thuhet në përgjigjet e Mustafës.

Deklaron se duhet të investohet në pajisje, hapësirë dhe kapital njerëzor dhe të reduktohen shpenzimet për shërim jashtë vendit. Ndërsa, si fusha të tjera në të cilat nevojitet të investohet thotë se janë edhe edukimi dhe bujqësia.

“Hapësira që krijohet  nga reduktimi i investimeve në infrastrukture rrugore duhet të shfrytëzohet për të krijuar kushtet për shërbime dinjitoze shëndetësore, pastaj për edukim, inovacione dhe kërkime dhe mbështetje të bujqësisë dhe NVM”, tha Mustafa.

Ndërkohë, njohësi tjetër i ekonomisë, Naim Gashi thotë se pas përfundimit të autostradave, projektet e Qeverisë duhet të orientohen në krijimin e vendeve të reja të punës, nxitjen e prodhimtarisë vendore dhe uljen e varësisë së ekonomisë nga importet.

Deklaron se e gjithë kjo mund të arrihet duke ndërlidhur sistemin e arsimit me tregun e punës.

‘Pra investime në arsimin profesional dhe arsimin e lartë në mënyrë që pas përfundimit të shkollimit të rinjtë të jenë të aftë për tu përfshirë në tregun e punës”, thotë Gashi.

Derisa shton se sektorë të tjerë që gjenerojnë vende të reja të punës janë edhe bujqësia e agropërpunimi, dhe sektori i IT-së dhe shërbimeve online.

“Një sektor që gjeneron vende punë është bujqësia dhe agropërpunimi. Nga 10 deri në 20 mijë euro është kostoja e krijimit të një vendi pune në bujqësi, ndërsa për një vend pune në industri nevojiten mbi 100 mijë euro”, thuhet në përgjigjet e Gashit.

Si sektor i cili duhet të jetë prioritet nacional thotë se është ai i IT-së, pasi siç deklaron të rinjtë tanë kanë shkathtësi në fushën e IT dhe njohjes së gjuhëve të huaja, prandaj në të ardhmen ky sektor mund të jetë profitabil. Derisa, shton se duhet të investohet edhe në energji, miniera dhe sektorin e turizmit.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending