Aktuale
Kthehet në Rivlerësim tenderin për sanimin dhe ndërtimin e rrugëve me asfalt në Gjakovë

Tenderi për sanimin dhe ndërtimin e rrugëve me asfalt në Komunën e Gjakovës do të zvarritet edhe për një kohë. Kjo meqë Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka anuluar dhënien e kontratës duke e kthyer lëndën në Rivlerësim, shkruan Ndërtimi.info
Deri të anulimi i dhënies së kontratës erdhi pas një ankese të operatorit ekonomik “Joos&Krasniqi” Sh.P.K drejtuar OShP-së, me pretendimet se Autoriteti Kontraktues, pra në këtë rast Komuna e Gjakovës ka bërë shkelje të nenit 1,7,56,59,60,61,70 të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).
Megjithëkëtë, paneli shqyrtues pas shqyrtimit të shkesave të lëndës, shqyrtimit të pikave pretenduese të parashtruesit të ankesës, konstatimeve, analizës konkrete dhe rekomandimeve të ekspertit shqyrtues, deklarimit të palëve në procedurë, diskutimeve dhe shoshitjes së provave në tërësi gjatë seancës për shqyrtim kryesor, sqaron se Komuna e Gjakovës nuk i ka lejuar qasje të menjëhershme në dokumente operatorit ekonomik ankues.
Paneli shqyrtues ka sqaruar se në mungesë të qasjes së menjëhershme në dokument operatori ekonomik ankues ka parashtruar kërkesë për shqyrtim vetëm për arsyet e eliminimit të tij, ndërsa pas qasjes në dokumente ka bërë ankesë në OSH duke ndryshuar edhe pretendimet ankimore. Për të cilën OShP obligon Komunën e Gjakovës që gjatë rivlerësimit nëse eventualisht ka kërkesa për qasje në dokumente atëherë të zbatojë nenin 10-të të LPP me qëllim që të shqyrtohen pretendimet eventuale ankimore, fillimisht tek autoriteti kontraktues e më pastaj tek Organi Shqyrtues i Prokurimit.
