Featured
Kthehet në RIVLERËSIM tenderi për ndërtimin e rrugës Mushtisht-Shtërpcë

Po vazhdon të zvarritet ndërtimi i rrugës Mushtisht-Verbeshticë-Shtërpcë. Rrugë kjo e cila ka munguar për shumë vite me radhë edhe pse është përdorur si rrugë mali.
Zvarritja e ndërtimit po bëhet pasi që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) ka gjetur shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik nga Komuna e Suharekës. Për të cilën OShP ka vendosur që të anuloj dhënien e kontratës dhe lëndën ta kthej në Rivlerësim, raporton Ndërtimi.info
Gjithë kjo erdhi pasi OShP kishte pranuar një ankesë nga operatori ekonomik i eliminuar nga ky tender “I.Seferi”, i cili pretendonte se Komuna e Suharekës për dhënien e këtij tenderi ka vepruar në kundërshtim me nenin 6, 7, 56, 59, 60, 66, 72 si dhe nenin 108A.
Paneli shqyrtues pas shqyrtimit dhe analizimit të gjitha provave dhe fakteve në shkresat e lëndës, deklarimeve në seancën për shqyrtimin kryesor, analizës në raporton e ekspertizës së ekspertit shqyrtues, konstaton se OE e rekomanduar për kontratë “NBT ING&Çlirmi” nuk ka ofruar diplomë të gjeodetit e cila diplomë është gjuhën kroate. E kjo është në kundërshtim me nenin 13.4 të LPP-së, pasi që dokumentet e tenderit duhet të jenë në gjuhën shqipe, serbe dhe gjuhën angleze.
Po ashtu paneli shqyrtues konstaton se është i qëndrueshëm pretendimi i OE ankuese se OE e rekomanduar për dhënien e kontratës në dosjen e tenderit ka ofruar dëshmi për një gjeodet me bachelor por jo edhe për gjeodet të diplomuar.
E veç këtyre OE ankuese pretendonte se OE e rekomanduar për kontratë ka ofruar kontrata dhe referencë të dyshimit. “Në dokumentet e ofruara ceket se kontrata është kryer në vitin 2013-2014, ndërsa në KRPP figuron në vitin 2012”, thuhet në pretendimin e ankuesit. Por që për ky pretendim duhet të sqarohet dhe të vërtetohet nga Autoriteti Kontraktues, pra Komuna e Suharekës me rastin e Ri-vlerësimit të ofertave konform nenit 59.2 dhe 72 të LPP-së.
Kjo pjesë e rrugës ishte parashikuar që do kushtonte 1 milion euro, por në zgjedhjen e operatorit ekonomikë del se do të kushtojë shumë më lirë, raporton Ndertimi.info.
Vlera e përgjithshme e kontratës që pritet të përfundojë për dy vjet është 661.222,11 euro.
