Aktuale
Kthehet në RIVLERËSIM tenderi për infrastrukturën mbrojtëse në lumin “Morava e Binçës”

Vlerësimi jo i barabartë i kompanive dhe mos respektimi i kriterit kryesor, atij të dhënies së kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim m të ulët, ka bërë që Gjykata e Tenderëve të anuloj për të dytën herë aktivitetin e prokurimit për renovimin dhe ndërtimin e infrastrukturës mbrojtëse përgjatë Lumit Morava e Binçës-Viti.
Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP) në njoftimin me anulimin e dhënies së kontratës ka kërkuar nga Komuna e Vitisë, që lënda për këtë tender të kthehet në Ri-vlerësim, shkruan Ndërtimi.info
Se Komuna e Vitisë kishte bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) në përzgjedhjen e kompanisë fituese për këtë tender, kishin pretenduar kompanitë ankuese “Pro&Co Group” Sh.P.K&”Haxha Kom” Sh.P.K, të cilat iu ishin drejtuar OShP-së.
Veç kësaj paneli shqyrtues pas analizës së situatës ka konstatuar se kompania e rekomanduar N.T. “Rahovica Comerce”, NN.P “ATC Com” Sh.P.K për tender nuk i plotëson të gjitha kërkesat e dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë.
Çmimi i kompanisë fituese për këtë tender ishte 757 mijë e 102 euro e 85 cent.
Ndërkaq, për këtë tender kishin ofertuar 10 kompani.
“Paneli shqyrtues vjen në përfundim se ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve nuk është bërë konform nenit 59-të të LPP-së dhe njëkohësisht nuk është respektuar edhe neni 60 i LPP-s, kriteri kryesor për dhënie të kontratës e që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmim më të ulët. Paneli shqyrtues konstaton se është rekomanduar për kontratë operatori ekonomik i cili nuk i plotëson të gjitha kërkesat e dosjes së tenderi dhe të njoftimit për kontratë. Prandaj ky veprim i Autoritetit Kontraktues është në kundërshtim me nenin 59 të LPP-së paragrafi 4 ku shkruan ‘Autoriteti Kontraktues do të konsiderojë një tender si të përgjegjshëm vetëm nëse tender në fjalë është në përputhshmëri me të gjitha kërkesat e parashtruara në njoftimin e kontratës dhe në dosjen e tenderi”, thuhet në vendimin e OShP-së.
Gjë për të cilën është kërkuar që Autoriteti Kontraktues gjatë rivlerësimit të ofertave dhe në të ardhmen t’i përmbahet në detaje të gjitha dispozitave të LPP-së dhe kërkesave të dosjes së tenderit dhe të njoftimit për kontratë.
Me këtë tender është paraparë të bëhet renovimi i argjinaturave dhe ndërtimi i infrastrukturës mbrojtëse përgjatë Lumit Morava e Binçës-Komuna e Vitisë ku përfshihet pjesa e parë e fshatit Nasale-Ura e Gjylekarit. Kurse pjesa dytë e përfshinë Urën e Gjylekarit deri te Ura e Kllokotit si dhe pjesa e tretë shtrihet nga Ura e Kllokotit drejtë Urës së Vitisë për përfunduar më pas në Urën e fshatit Binçë.
Paramasa e Lumit Morava pjesa e tretë Ura e Kllokotit-Ura e Vitisë-Ura e fshatit Binçë është L=L1+L2=4386.92+3298.0=7684.92 metra.
Po ashtu në përshkrimin e qëllimit të kontratës është thuhet se do të bëhen matjet gjeodezike, përcjellja e kuotave të profileve gjatësore dhe tërthore, përgatitja e punishtes për fillimin e punimeve, prerja e të gjitha drunjve, shelgjeve, nxjerrja e rrënjëve të tyre dhe transporti i tyre deri në deponi në largësi 10 kilometërshe.
Punë tjera që do të bëhen për rregullimin e shtratit është edhe gërmimi i dheut për të bartur lumin në vijat projektuese sipas profileve tërthore dhe gjatësore. Kurse me dheun e zgjedhur nga gërmimi do t bëhet mbushja e bankinave në gjerësinë e projektuar dhe mbushja e ragjinturave në gjerësinë e projektuar dhe mbushja e argjinaturave në lartësinë dhe gjerësinë e projektuar duke e ngjeshur dhe nivelizuar.
Transporti i mbeturinave dhe rrënjëve të drunjve do të bartet deri në deponinë të cilën e cakton organi mbikëqyrës.
Veç këtyre, të gjitha rrjedhave anësore duhet t’iu ndërtohet argjinatura nga dheu i gërmuar në largësi të Lumit Morava së paku 100 metra derisa nuk arrihet kuota e lartësisë së argjinaturës së Lumit Morava.
Në puseta duhet të vendosen gypat ventil jo kthyes. Për të bërë përcjelljen e ujërave atmosferikë nga sipërfaqja e tokës në lum do të montohen gypa PVC PVC Ø500 mm. Dhe së fundmi do të bëhet ndërtimi i kokave hyrëse dhe dalëse nga betoni ku janë të vendosura gypat.
Me shumën e 1 milion e 450 mijë euro ishte paraparë të bëhet renovimi i argjinaturave dhe ndërtimi dhe infrastruktura mbrojtëse përgjatë Lumit Morava e Binçës-komuna e Vitisë. Pjesa e parë-fshati Nasale-Ura e Gjylekarit; Pjesa e dytë prej Urës së Gjylekarit-Ura e Kllokotit dhe pjesa e tretë Ura e Kllokotit e deri të Ura e Vitisë që gjendet në fshatin Binçë./Ndërtimi.info
