Aktuale
Kryetari i Novobërdës kërkon mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës
Për asfaltimin e disa rrugëve lokale, dhe për transport humanitar për banorët e Novobërdës, kryetari i kësaj të fundit Svestislav Ivanovic ka kërkuar përkrahjen e Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.
Kjo kërkesë u bë sot gjatë një takimi që zhvilluan, Lekaj dhe Ivanovic.
E Lekaj në këtë takim ka premtuar se kjo komunë do ta ketë përkrahjen e ministrisë, duke e siguruar atë se të gjithë kryetarët do të trajtohen në mënyrë të barabartë pa dallim se nga cili komunitet vie.
“Fillimisht dua t’ju uroj për zgjedhjen tuaj edhe për një mandat në krye të Komunës së Novobërdës dhe më lejoni që të shpreh përkushtimin tonë si Ministri e Infrastrukturës që edhe në vitin në vijim t’ju përkrahim me aq sa na lejon buxheti dhe mundësitë, por për një gjë të jeni të sigurt se çdo projekt që e fillojmë edhe do ta përfundojmë”, tha ministri Lekaj.
Ndërkaq Kryetari i Novobërdës, Svetislav Ivanovic, e ka falënderuar ministrin Lekaj dhe e ka informuar atë rreth projekteve që kanë si komunë dhe ka kërkuar përkrahjen e ministrit në realizimin e projekteve kapitale që ka kjo komunë.
“Zoti Ministër fillimisht më lejoni që t’ju uroj për zgjedhjen tuaj në postin e Ministrit të Infrastrukturës dhe faleminderit për pritjen. Ne si komunë e decentralizuar kemi disa projekte që do të na nevojitet ndihma e ministrisë për t’i realizuar. Ndër projektet tona që ka rëndësi për qytetarët është edhe transporti humanitar, pra vazhdimi i këtij projekti dhe asfaltimi i disa rrugëve lokale”, tha Ivanovic.
Ministri Lekaj e ka siguruar kryetarin Ivanovic se do të jetë i hapur për bashkëpunim dhe se do të jenë gjithmonë të mirëseardhur, sepse vetëm kështu, nëpërmjet bashkëpunimit mund t’ju shërbehet më së miri qytetarëve të vendit.