Aktuale
Kryetari i Hanit të Elezit tregon sa para mori nga shpronësimi në “Arbën Xhaferi”
Për disa vite u tha se është më i varfëri prej kryetarëve të komunave. Por, po të shikosh pasuritë që ka deklaruar në Agjencinë Antikorrupsion, Rufki Suma nuk është edhe aq i varfër. Vetëm vlera e pasurive të paluajtshme që ai ka në pronësi sillet rreth 150 mijë euro.
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Suma ka deklaruar se ka një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe tri toka, vlera e së cilave sillet rreth 100 mijë euro.
Si pasuri të luajtshme, i pari i Hanit të Elezit ka deklaruar një veturë të llojit Tauran, që thotë se kushton 6 mijë euro, derisa thotë se ka rreth 2 mijë euro para të gatshme nëpër banka.
Të hyrat vjetore të Sumës sillen rreth 18 mijë euro, para të cilat i merr si kryetar, nga mëditjet dhe se pension të TMK’së, raporton Express.
Tek pasuria e tij, Suma shpjegon se nuk i ka llogaritur paratë që ka marrë nga shpronësimi i tokës për autostradë. Suma thotë se për këtë tokë ata kanë marrë 45 mijë euro, të cilën e kanë ndarë në katër pjesë.
Pjesën e tij, Suma thotë ta ketë shfrytëzuar për kryerjen e haxhit për të dhe gruan e tij.
“Këtu nuk janë llogaritur pensioni i pleqërisë së nënës si dhe mjetet nga shpronësimi i pronës për autostradë në një vlerë 45.000 të cilat janë ndarë në 4 pjesë të barabarta, ku vetëm pjesa ime në vlerë prej 11.250 euro është shfrytëzuar për kryerjen e hagjit për mua dhe bashkëshorten time”, ka shpjeguar ai.