Featured
Kryeqyteti mori mbi 1 milion euro për dy muaj nga lejet e ndërtimit

Nuk janë dashur më shumë se dy muaj që buxhetit të Komunës së Prishtinës t’i shtohen mbi 1 milionë euro. Tërë këto para janë dhënë për 19 objekte që pritet të ndërtohen në kryeqytet. Shumica e tyre shumëbanesore.
Më shumë se 1 milion e 578 mijë e 97 euro është shuma e parave që ka përfituar Komuna e Prishtinës, në krye me Shpend Ahmetin nga lejet e ndërtimit për dy muajt e parë të 2018-s, shkruan Ndërtimi.info
Vetëm për taksë administrative qytetarët kanë paguar 1 milion e 100 mijë e 885 euro, ndërsa me 477 mijë e 212 euro të tjera ata kanë paguar tarifën për rrritje të densitetit.
E gjithë kjo sipas listës së lejeve të lëshuara për vitin 2018, të publikuar në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës.
Në bazë të kësaj liste, shumica e qytetarëve/kompanive, aplikimin për leje ndërtimi e kanë bërë vitin e kaluar, ndonëse ka të tillë që kanë pritur edhe dy vite për një të tillë.
Sipërfaqja totale ku do të ndëertohen këto objekte është mbi 177 mijë metër katror.
Ndërsa, lagjet e ku pritet të ndërtohen këto objekte janë: “Mati 1”, “Hajvalia”, “Lakrishta”, “Çagllavicë”, “Kalabri”, si dhe në “Prishtina e Re-Zona Perëndim”.
Për dallim prej 19 aplikuesve që kanë paguar mijëra euro për tu pajisur me leje ndërtimi, ka edhe raste kur aplikuesit janë liruar nga pagesa. Nga pagesa është liruar Ministria e Administratës Publike, që pritet të ndërtojë objektin në lagjen “Prishtina e Re- Zona Perëndim”.
Ndryshe, gjatë vitit të kaluar, Komuna e Prishtinës kishte lëshuar 183 leje ndërtimi.
Për tërë këto leje, komuna kishte përfituar 8 milionë e 371 mijë e 634 euro. Vetëm për dy leje në 2017-ën, ishin paguar mbi 1 milionë euro./Ndërtimi.info
