Aktuale
Kryekomunarët presin përkrahje nga BERZH-i

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbledhur në Prishtinë kryetarët e të gjitha komunave për të diskutuar rreth ecjes përpara me projektet e prezantuara në Samitin e Londrës. Haradinaj ka thënë se të gjitha projektet që do t’i miratojë BERZH-i, do të kenë garancinë e qeverisë, raporton KTV.
Qeveria e Kosovës ka marrë përsipër të garantojë secilin projekt të komunave që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do ta miratojë.
Në diskutimin e projekteve që Kosova i ka prezantuar në Samitin e Londrës, kryeministri Haradinaj, ka thënë se marrëdhënia me BERZH-in është garancë se projektet e komunave do të shohin dritën.
Neil Taylor, shef i Zyrës së BERZH-it në Prishtinë, ka thënë se që nga viti 2012 janë investuar 312 milionë euro në 81 projekte nga sektori publik dhe ai privat në vend.
“Duam të bëjmë më tepër në Kosovën dhe ky është qëllimi ynë, që të punojmë më shumë. I kemi tri fusha prioritare: sektorin privat, ekonominë e gjelbër dhe infrastrukturën. Ekziston mundësia që të bëhet më shumë në projektet që kanë impakt në rritjen ekonomike”.
Kryetarët e komunave kanë prezantuar edhe një herë kërkesat për mbështetje të projekteve të tyre.
Në mesin e 40-të projekteve me të cilat Kosova këtë vit u prezantua në Londër, hyjnë edhe projektet si: Unaza ose qarkorja e madhe e Prishtinës, 9 projekte kanë të bëjnë me trajtimin e ujërave të zeza, të pendave, projekte infrastrukturore, studimi i fizibilitetit të Aeroportit të Gjakovës, projekte të energjisë së ripërtërishme etj.
