Aktuale
Kryeinspektori tregon në sa vendpunishte u ndal puna, aksioni s’do të ndalet

Brenda gjashtë ditësh Inspektorati i Punës vetëm në regjionin e Prishtinës ka ndaluar punimet e 89 kompanive ndërtimore për shkak të mungesës së skeleve mbrojtëse, kështu ka bërë të ditur për Ndërtimi.info Kryeinspektori i Punës Basri Ibrahimi.
Ibrahimi ka treguar se gjatë kësaj kohe janë inspektuar 145 vendpunishte, ku ka shtuar se aksioni është duke vazhduar pa tensione të pronarëve të kompanive ndërtimore.
“Aksioni është duke shkuar shumë më mirë se sa që e kam planifikuar dhe me më pak tensione sesa që e kam planifikuar. Në këtë rast dua të falënderoj pronarët e kompanive, menaxherët e kompanive të ndërtimit që e kanë kuptuar seriozisht dhe shumë lehtë e kanë pranuar masat që i ka ndërmarrë Inspektorati i Punës sepse në diku 145 inspektime që i kemi bërë me 89 pezullime të përkohshme të punës. Ne i kemi vetëm dy reagime që nuk i kanë përku një biznesmeni. Por situata tjera janë sjellë shumë më mirë se sa që e kam planifiku”, tregoni Ibrahimi për Ndërtimi.info
Inspektimet në Prishtinë do të vazhdojnë edhe nesër e më pas do të bëhet analiza se si ka rezultuar aksioni që më pas të vendoset edhe për veprimet tjera.
“Edhe nesër kanë me qenë inspektimet me këtë intensitet pastaj do të vazhdohet me regjionet e tjera të Kosovës të hënën do të provojmë të bëjmë një analizë për me pa se si ka rezultu dhe pastaj me pa se si do të veprohet më tutje, për regjionin e Prishtinës”, potencoi kryeinspektori Ibrahimi.
Ndërkohë që kur të përfundojë aksioni, përsëri do të ketë inspektime për të parë se nëse po vazhdohet me punët ende pa u siguruar skelet mbrojtëse.
Po ashtu Ibrahimi ka kërkuar edhe nga qytetarët dhe mediet se në rast se shohin ndonjë vendpunishte ku po punohet pa skele mbrojtëse të kontaktojnë Inspektoratin e Punës.
“Por gjithsesi do të mundohemi që me i përcjellë të gjitha vendpunishtet që iu ka pezulluar puna. Ose eventualisht qoftë se ka mbetë ndonjë pa inspektu sepse nuk përjashtohet mundësia që ndonjë ka mbet pa inspektume se inspektorët kanë mundur mos me vërejt ose ka pas huti eventuale tu mendu inspektorët ka shku ai apo ky. Por ne i ftojmë edhe qytetarët dhe mediat që nëse shihet ndonjë që punon pa skele të na lajmërojnë dhe ne do të reagojmë menjëherë”, tha ai.
Nuk do të jenë vetëm kompanitë ndërtimorë në Prishtinës që iu pezulluan punimet.
Aksioni për t’i ndërprerë punët kompanive ndërtimore që nuk kanë skele mbrojtëse do të vazhdojë dhe në regjionet tjera të Kosovës, me po të njëjtat masa.
Ndërsa, për pezullimin e punëve pati reagimi publike të disa kompanive ndërtimore dhe Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës të cilët kërkonin kohë shtesë që t’i sigurojnë skelet mbrojtëse, meqë siç thonë ata këto skele vështirë mund të sigurohen në tregun kosovarë dhe se kanë një kosto të lartë.
Megjithëkëtë, kërkesa e tyre nuk u morë në konsideratë, ku siç tha Ibrahimi në një takim që kishte me Shoqatën e Ndërtimtarëve se nuk do të ketë kompromise e as tolerancë kur bëhet fjalë për jetën e një punëtori.
Ndryshe, vetëm brenda 10 muajve në vendin e punës kanë humbur jetë 19 punëtorë të sektorit të ndërtimit.
Ndërsa në vitin 2017 janë shënuar 8 vdekje të punëtorëve të ndërtimtarisë./Ndërtimi.Info/
