Aktuale
Kryeinspektori thotë se Bechtel&Enka s’mund t’i ikë përgjegjësisë nëse ka faj në vdekjen e punëtorit
Në mëngjesin e së shtunës, 41 vjeçari Tafil Tafallari gjeti vdekjen, derisa ishte duke punuar në ndërtimin e autostradës Prishtinë-Shkup, “Arbën Xhaferi”.
I ndjeri Tafallari ishte punëtor i kompanisë “Bechtel&Enka.
Kur kanë kaluar më shumë se 24 orë, ende nuk ka zhvillime të reja se si e gjeti vdekjen i ndjeri Tafallari.
Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, i tha Ndërtimi.info, se tani për tani nuk mund të japin informata të sakta pasi që rasti është duke u hetuar. Ai ka shtuar se inspektorët e punës janë duke u marr me rastin dhe po presin raportin ku do të tregohen detajet.
“Për momentin nuk mund të japim informata më të sakta sepse rasti është në trajtim e sipërm, dhe gjatë javës ne do të dalim me deklaratë për medie se çka ka ndodh, sipas Inspektoratit të Punës. Sepse aty janë edhe Policia, Prokuroria dhe konstatohet se a ka pas edhe eventualisht edhe vepër penale. Sepse njëkohësisht mundet me pas edhe vepër penale, edhe mundet mos me pas vepër penale dhe kompanitë me u gjobitë eventualisht që nuk iu kanë përmbajt rregullave të sigurisë dhe shëndetit”, tha Ibrahimi.
Se cilat do jenë veprimet ndaj kompanisë, në këtë rast “Bechtel&Enka”, Ibrahimi edhe përkundër që tha se nuk dëshiron të paragjykoj, megjithatë thotë se kompania nuk munde t’i ik përgjegjësisë.
“Nuk mundemi me gjyku, do marrim apo nuk do të marrim masa, sepse nuk e dimë se si ka ndodhur situata, apo kush ka qenë shkaktari. Ne kur ta shohim vendin e ngjarjes dhe e konstatojmë cili ka qenë shakatari që e ka sjellë deri te vdekja. A ka qenë edhe neglizhencë e punëtorit, eventualisht po e them. Edhe rastet e tjera që kanë ndodh asnjë nuk kanë qenë punëtorë të “Bechtel&Enka” të gjithë kanë qenë nënkontraktorë. Rasti i parafundit ka qenë vdekje natyrore. Dhe Bechtel Enka nuk i ka ndodh asnjë rast si puntorë të Bechtel, ata kanë qenë nënkontraktorë, por sidoqoftë Bechtel nuk mundet me i ik përgjegjësisë pavarësisht që është nënkontratorë. Por sido që të jetë, në rastin konkret nuk mundemi me ju dhënë diçka konkrete se çka ka ndodh”, përfundoi Ibrahimi.
Raportin e hetimeve nga autoritetet, që tregon detajet se cilët ishin shkaktarët për vdekjen e 41 vjeçarit, po e presin edhe kompania “Bechtel&Enka”.
Zëdhënësja e kësaj kompanie, Ela Ruci në një prononcim për Ndërtimi.info, u deklarua shkurt, se po presin raporton e autoriteteve.
“Ne jemi në pritje të përfundimit të hetimeve nga ana e autoriteteve, kështu që kur të na njoftojnë ata do të dimë më shumë se çfarë ka ndodhur”, tha Ruci.
Ndryshe, për rastin në fjalë reagoi edhe Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj. Ky i fundit mbajti takim urgjent me drejtorin e projektit nga “Bechte&Enka”, Riyadh Alkhazjar. Mirëpo, nga ky takim në të cilin u diskutua situata në ketë kohë të pas-fatkeqësisë, nuk u tha asnjë konkrete me arsyetimin se nuk duan të lëshohen në deklarata, pasi me rastin po merren organet kompetente.
Në lidhje me këtë rast të rëndë, ka reaguar ashpër edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.
Ajo ka thënë se kompania “Bechtel – Enka” i trajton punëtorët sikur të ishin skllevër, me paga të vogla, me mungesën e kushteve për punë e me shkelje të të drejtave. Haxhiu ka kërkuar nga Inspektorati i Punës që të çojë raport në Kuvendin e Kosovës dhe që ky i fundit të merret urgjentisht me këtë çështje.
https://ndertimi.info/ministri-i-punes-reagon-per-vdekjen-e-punetorit-gati-12-ore-me-vone/