Aktuale
Kruja mbyll hesapet me guroret, pezullohet aktiviteti i 12 subjekteve të fundit

12 guroret e fundit që ushtronin aktivitetin në zonën e Malit të Krujës janë mbyllur nga Ministria e Mjedisit. Vendimi për pezullimin e aktivitetit u mor pas inspektimit një mujor që ka kryer task-forca e përbërë nga përfaqësues të katër Ministrive. Ministri Klosi tha se guroret nuk ishin kontrolluar prej 30 vitesh edhe pse ndotja që shkaktonin në mjedis konsiderohet shumë e lartë.
Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka pezulluar aktivitetin e 12 guroreve të fundit në Malin e Krujës.
Vendimi vjen pas shkeljeve të gjetura nga task-forca e përbashkët e Ministrisë së Infrastrukturës, Financave, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mjedisit në zonën Krastë- Verjon.
” Të 12 subjektet duhet të ndërpresin urgjentisht aktivitetin e tyre në këtë zonë. Forca e ligjit dhe ligjzbatimit do të jenë të gjitha në terren.Për 30 vjet është shfrytëzuar pa asnjë kriter dhe pa u përputhur aspak me kushtet mjedisore-natyrore”, është shprehur Ministri Bledi Klosi.
Task-forca i ka kërkuar katër Ministrive revokimin e aktivitetit për subjektet që operonin në malin e Krujës për shkak të ndotjes së ambientit.
Përpos kësaj mase ndaj tyre është vendosur edhe gjobë në vlerën 300 mijë lekë.
E për çështjen ka reaguar edhe Zëvendësministrja e Brendshme e Shqipërisë Romina Kuko.
” Janë proceduar për veprën penale “ndotje të ajrit” furrat artizanale të gëlqeres, 41 raste. Në zonën e mbrojtur Krastë-Verjon-Krujë ushtrojnë veprimtarinë me lëndë plasëse 12 subjekte të cilat janë objekte kontrolli dhe janë të pajisura me licencë”, është shprehu Kuko.
Minitri Klosi tha se forca e ligjit do të veprojë për të gjitha subjektet që me aktivitetin e tyre ndikojnë në ndotjen e mjedisit.
Ai bëri të ditur se shumë shpejt do të fillojë edhe rehabilitimi i malit të Krujës për ta kthyer atë në një atraksion për turistët vendas dhe të huaj.
