Aktuale
KRU “Gjakova” mohon pohimet e deputetes Lila-Kusari për rrezikun nga “Radoniqi”

KRU “Gjakova“ ka reaguar ndaj pohimeve të deputetes Mimoza Kusari-Lila, sot, në Kuvendin e Kosovës, sipas të cilës në zonën e mbrojtur të akumulimit “Radoniqi” është ngritur pa leje një hotel, i cili po ndot ujin, prej nga furnizohen me ujë jo vetëm qyteti i Gjakovës.
Në reagimin e KRU “Gjakova”, të nënshkruar nga Ismet Ahmeti, kryeshef ekzekutiv i kompanisë, theksohet “Shumë shkurt po ju informoj që objekti administrativ posedon lejen e ndërtimit me numë 35150 të datës 05.02.1983.
Objekti në fjalë është rindërtuar mbi themelet e objektit ekzistues me të njëjtin destinacion, në të cilën ekzistojnë salla e konferencës, zyra për trajnime dhe zyra për monitorimin e digës.
Objekti në fjalë ka pëlqimin nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me nr. Protokoli 1945-2/17 me datë. 25.05.2017, sqarohet në reagim.
KRU Gjakova (ish-Radoniqi), konform lejes së dhënë respekton të gjitha aktet ligjore dhe rregulloret për zonën e mbrojtjes.
KRU Gjakova me qëllim të rritjes së të hyrave ka lëshuar me qira një pjesë të këtij objekti, duke respektuar të gjitha aktet ligjore për dhënie me qira.
Po ashtu sa i përket derdhjes së ujërave të zeza në liqe, ju sigurojmë që një gjë e tillë nuk qëndron dhe për këtë mbajmë përgjegjësi dhe kemi dëshmi se ku derdhen ujërat e zeza nga ky objekt.
Lidhur me shqetësimin e znj. Kusari-Lila për ndonjë epidemi të mundshme, ne sigurojmë konsumatorët tanë që analizat e ujit bëhen çdo 2 orë në 24 orë, nga KRU Gjakova dhe Instituti Kombëtar i Shëndeti Publik të Kosovës.
Për të gjitha pyetjet dhe shqetësimet tuaja, mund të na drejtoheni, sepse posedojmë të gjithë dokumentacionin në kopje fizike, përfundon reagimi i KRU “Gjakova”.
