Aktuale
Kroacia rishikon planin e urës prej 526 milionë eurosh

Jo shumë larg nga fshati i peshkimit Brijesta në bregdetin shkëmbor të Kroacisë, ajo që të bën përshtypje dhe që e prish të gjithë këtë mrekulli të krijuar nga natyra është një skelë e madhe betoni, shkruan Bloomberg.
Ajo ka qenë pjesë e një projekti të braktisur, për të ndërtuar një urë dhe një tregues i hidhur sesi historia dhe grindjet e shumta midis politikanëve të kaheve të kundërta kanë qenë dështimi më i madh në një rajon prej jo më shumë se 100,000 banorësh.
Ndërsa tani, ajo është shndërruar në një simbol të ri, ku përfitimet e anëtarësimit për në Bashkimin Europian bashkohen me ndikimin gjithnjë e në rritje të Kinës. Falë anëtarësimit të Kroacisë në BE, po rishikohet plani prej 526 milionë eurosh (621 milionë dollarësh amerikanë). Ndërmarrja shtetërore kineze e ndërtimit “China Communications Construction Group sh.p.k” ka në plan të rifillojë ndërtimin e projektin të lënë përgjysmë, i cili nisi në vitin 2007.
Blloku 28 vendesh ra dakord të sigurojë 85% të financimit, ndërsa pjesën e mbetur do ta financojë qeveria kroate.
Ura me katër korsi, e cila do të shkurtojë udhëtimin me disa orë në disa pjesë të gadishullit të Peljesaçit për në pjesën tjetër të Kroacisë pritet të hapet në 2021. “Ura është shpëtimi ynë”, shprehen disa prej banorëve të zonës, një prej të cilëve është edhe 38-vjeçari Zdravko Laziç.
“Ndoshta pasi ura të ndërtohet, qetësia që e karakterizon këtë vend nuk do të jetë e njëjta, por nëpërmjet saj, vendi ynë do të vizitohet nga turistë dhe vendasit nuk do ta braktisin më atë për t’u larguar në vende të tjera”, tha më tej z. Laziç.
Ndikimi i Kinës ndihet në Europë, duke qenë se ajo ka marrë në zotërim një pjesë të madhe të porteve të Spanjës, Greqisë, Belgjikës, si dhe një aeroport në Gjermani. Ajo po sjell me vete në këtë kontinent edhe ndikimin e ish-Lindjes Komuniste, në sajë të investimeve në industrinë e erës në Poloni, në zhvillimin e një fabrike për prodhimin e birrës në Çeki, zhvillimin e inxhinierisë kompjuterike në Bullgari dhe zhvillimin e industrisë së prodhimit të makinave në Hungari.
Projektet e infrastrukturës kanë qenë ndër më të rëndësishmet, duke përfshirë aeroportin ndërkombëtar të kryeqytetit shqiptar në Tiranë, një terminal të transportit detar në qytetin rumun të Konstancës dhe përmirësimin e stacionit hekurudhor me shpejtësi të lartë që lidh kryeqytetin hungarez me atë serb.
Projekti i urës është përqendruar në Gadishullin e Peljesaçit, pjesë e qarkut më jugor të Kroacisë, pjesa më e madhe e të cilit është e ndarë nga pjesa tjetër e vendit.
Ajo çka përbënte çudi kur vendet fqinje ishin partnerë brenda Jugosllavisë u shndërrua në një dhembje koke pas pavarësisë dhe veçanërisht kur Kroacia u bashkua me BE-në në 2013.
“Ne nuk jemi një ishull, por ne ndihemi si një i tillë”, tha Vedrana Kelleher, pronari i njësisë kroate të Savills Plc që merret me pasuri të patundshme në këtë zonë. Ne mendojmë se nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian, sepse jemi të vetëdijshëm për këtë shkëputje territoriale.
Por jo i gjithë rajoni është i veçuar dhe i qetë, sepse Dubrovniku, për shembull, është një qytet historik ku turizmi po lulëzon pjesërisht falë famës që ai mori nga filmi “The Game of Thrones” dhe “Star Wars VIII”. Por situata në Gadishullin e Peljesaçit është krejt e kundërt dhe kontrasti, i fortë.
I përbërë nga rreth 8,000 shtëpi dhe me disa nga vreshtat më të mira të vendit, ai është njëkohësisht edhe pjesa më pak e zhvilluar e bregdetit Adriatik, vetëm në sajë të terrenit të vështirë që ka.
Qyteti i Trpanjit, për shembull, është jo shumë larg nga Dubrovniku, por turistët duhet të bëjnë rrugë të gjatë përgjatë bregut për ta vizituar, ose të marrin tragetin që e përshkon atë rrugë katër herë në ditë dhe që fatkeqësisht ka një kapacitet të kufizuar.
“Kalimi nëpër dy zona kufitare e bën të paparashikueshëm zgjatjen e udhëtimit dhe në verë mund të zgjasë me orë të tëra”, tha kryebashkiaku i Dubrovnikut, Mato Frankovic. Por ndërtimi i urës së lënë përgjysmë do ta ndryshojë këtë situatë dhe do të shmangë kalimin kufitar me Bosnjë-Hercegovinën”.
Ajo do t’i shtojë 7.2 pikë përqindjeje rritjes ekonomike të rajonit gjatë 15 viteve, ndërkohë që edhe punësimi do të rritet në sajë të zhvillimit të tregtisë dhe turizmin, të dhëna të nxjerra nga një studim i bërë në vitin 2006, pasi zyrtarët nuk kishin bërë asnjë studim tjetër që prej asaj kohe.
Përpjekja e Kroacisë për t’u bashkuar me zonën e Schengen të BE-së ka përfitime për mjedisin, duke devijuar miliona makina çdo vit larg kufirit të bllokuar me një korsi të vetme të Bosnjës. Ai do t’i japë fund një plani që ka nisur prej më shumë se një dekade.
Projekti u shfaq në fillim të viteve 1990 pas shkatërrimit të Jugosllavisë, por mori pak zhvillim për shkak të një lufte të përgjakshme që shkatërroi shumë pjesë të rajonit, përfshirë edhe vetë Dubrovnikun. Ky projekt, i cili nisi në fillim të viteve 2007, u la në mes, sepse një vit më pas, Kroacinë e përfshiu kriza ekonomike globale, duke e çuar atë në recesion dhe duke shteruar financimet.
“Jam i zemëruar që kemi pritur kaq shumë kohë, edhe pse Kroacia në momentin që e ndërtimit të urës nuk kishte mundësitë e duhura financiare, për ta bërë atë e vetme”, tha Nikola Dobroslaviç, kreu i Qarkut të Dubrovnikut.
