Connect with us

Aktuale

Kreditë e shpejta zhysin qytetarët në borxhe

Published

on

Në tregun bankar në Kosovë, përveç bankave komerciale, aktivitetin e tyre e zhvillojnë edhe institucionet mikrofinanciare (IMF), në të cilat qytetarët mund të marrin kredi në vlera të ndryshme.

Sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, norma e interesit për kredi në 21 institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë, ka arritur në 22.7 për qind nga 22. 2 për qind sa ishte mesatarja në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Pavarësisht normës së interesit, vlera e kredive të lëshuara ka arritur mbi 153 milionë euro. Nga kjo vlerë, 99 milionë euro janë kredi familjare, kurse mbi 54 milionë euro kredi për ndërmarrje.

Mbi 75 mijë thuhet të jetë numri i huamarrësve në këto institucione.

Udhëheqës të Shoqatës së Institucioneve Mikrofinanciare thonë se normat e interesit janë të ngjashme sikurse me normat evropiane të kredive të shpejta me para të gatshme dhe pa shumë dokumentacione. Ata thonë që sipas Rrjetit Evropian të Mikrofinancës, normat e interesit në këto institucione janë më të ulëtat në rajon.

Drejtori ekzekutiv në këtë shoqatë, Arsim Bruçaj, për Radion Evropa e Lirë thotë se normat e interesit janë të ngjashme me produktet e bankave komerciale, siç janë kredit kartelat apo mbitërheqja.

Këto norma sillen prej 12.5 deri në 25 për qind, thotë Bruqaj duke shtuar normat varen nga lloji i kredisë, relacioni i më hershëm i kredimarrësit me IMF-në, nga historia e tij më regjistrin e kredive, nga afati, shuma.

Ai arsyeton normat e interesit, për shkak se, siç thotë ai, institucionet marrin vetë kredi për të dhënë kredi, pasi nuk pranojnë depozita.

Bruçaj tregon mundësitë e uljes se kamatave për kredi.

“Një mundësi për uljen e këtyre normave është që institucionet mikrofinanciare (IMF)të lejohen të rrisin qëndrueshmërinë e institucionit përtej kredidhënies. Kjo do të mund të bëhet në atë mënyrë që këto IMF të lejohen të bëjnë shërbime shtesë, siç janë transferet dhe pagesat, apo edhe shërbime të tjera”.

“Në një të ardhme afatmesme, adoptimi më i madh i teknologjisë do të ndikonte në zvogëlimin e kostove për njësi të kredisë dhe kjo do të ndikonte në uljen e normës së interesit”, thotë Bruqaj për Radion Evropa e Lirë

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se qytetarët të cilët nuk përmbushin kushtet për të marrë kredi në bankat komerciale po marrin kredi pa ndonjë kriter në institucionet mikrofinanciare.

Eksperti për çështje ekonomike Naim Gashi vlerëson se kamatat e kredive në këto institucione janë jashtëzakonisht të larta.

“Institucionet mikrofinanciare nuk kërkojnë asnjë kriter për të përmbushur, nuk kërkojnë as që te kenë pagë mujore, as hipotekë, as kolateral. Aty kërkohet vetëm një fletë-aplikacion dhe një letërnjoftim. Dhe në shumicën e rasteve janë të vetëdijshëm se familjet nuk kanë mundësi që t’i kthejnë kreditë, mirëpo për shkak të vështirësive të tyre financiare ata detyrohen të marrin kredi të cilat nuk kuptimin e plotë të fjalës janë fajde, për arsye se janë mbi 20 për qind”, shprehet Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Këto institucione janë organizata që ofrojnë kredi të vogla për individët ose bizneset familjare me të ardhura të ulëta, por me procedura më të thjeshta sesa bankat komerciale.

Një qytetar nga Ferizaj, Albert Gashi që ka përfunduar Fakultetin Ekonomik, tregon se ka qenë i interesuar për kredi në këto institucione, por edhe në bankat komerciale. Por, siç thotë ai, kamatat e larta kanë qenë arsye që nuk ka pranuar të marrë kredi.

“Kamatat për kredi janë shumë të larta, që nganjëherë edhe nuk mund të quhen kamata”, thotë Gashi.

Institucionet mikrofinanciare që operojnë në Kosovë monitorohen nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në këtë institucion, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet mikrofinanciare kanë ngritur kapacitet e tyre qeverisëse duke ndikuar kështu edhe në stabilitetin e sektorit financiar.

Ai, ndërkaq ka treguar këto institucione zbatojnë kornizën ligjore.

“Banka Qendrore e Kosovës në vazhdimësi jep rekomandime për avancimin e proceseve të këtyre institucioneve dhe kur evidentohen se ato kanë parregullsi, BQK-ja vepron konform rregullativës në fuqi duke ndërmarr masa siç janë: vërejtjet me shkrim ndaj institucioneve, zyrtarëve të institucioneve, si dhe dënimet me gjobë monetare”.

“Të gjitha masa që janë ndërmarrë, janë respektuar në tërësi nga këto institucione dhe të njëjtat kanë ndikuar pozitivisht në disiplinimin e tyre në respektimin e kornizës ligjore”, thotë Ahmeti.

Ahmeti thotë se një ndër parimet kryesore të BQK-së është mbajtja e sistemit efikas financiar në ofrimin e shërbimeve cilësore për konsumatorët me çmime konkurruese.

Banka Qendrore ka krijuar infrastrukturë ligjore adekuate që inkurajon efikasitet dhe konkurrencë, si dhe siguron një nivel adekuat të shërbimeve financiare, e që përmes qasjes së tillë po ndikohet edhe në uljen e normave të interesit të kredive.

Institucionet mikrofinanciare japin pothuajse të gjitha llojet e kredive, sikur bankat komerciale, duke filluar nga kreditë për familje, bujqësore, kredi për biznes, për renovim po ashtu edhe kredi për regjistrim të automjeteve.

Në Kosovë operojnë 21 institucione mikrofinanciare, më 129 njësi në gjithë territorin e Kosovës, prej të cilave 14 janë më pronësi të huaj kurse vetëm shtatë janë vendore. Numri i të punësuarave në këto institucione është mbi 1000 persona.

Kurse, dhjetë është numri i bankave komerciale me 237 njësi në gjithë territorin e Kosovës. Tetë nga to janë më pronësi të huaj. Vlera e kredive të qytetarëve në këto banka ka arritur në mbi 2.5 miliardë euro, prej tyre mbi 900 milionë euro janë kredi familjare, derisa 1.6 miliard euro janë kredi për ndërmarrje.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending