Aktuale
Kreditë e sektorëve ekonomikë shënuan rritje, por ritmi ishte më i ulët se vjet
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka njoftuar se asetet e sektorit mikrofinanciar arritën në 250.0 milionë euro dhe shënuan një rritje vjetore prej 30.0 për qind.
“Vlera e aseteve të sektorit mikrofinanciar në vitin 2018 kryesisht i atribuohet rritjes së kredive bruto, aktivitet që kryesisht financohet nga huamarrjet në sektorin e jashtëm. Struktura e aseteve të sektorit mikrofinanciar vazhdon të dominohet nga kreditë bruto (73.5 për qind), pasuar nga lizinget”, citon rtk raportin e BQK-së.
Kreditë e të gjithë sektorëve ekonomikë shënuan rritje, por ritmi i rritjes ishte më i ulët krahasuar me vitin paraprak. Rritjen më të lartë e kishin kreditë e dedikuara për sektorin e industrisë pasuar nga kreditë për sektorin e tregtisë dhe bujqësisë.
Lizinget, si kategoria e dytë për nga pesha në strukturën e aseteve të sektorit mikrofinanciar, shënuan rritje vjetore prej 43.2 për qind në vitin 2018 dhe arritën vlerën prej 38.1 milionë euro
Aktiviteti kreditor i sektorit mikrofinanciar gjatë vitit 2018 shënoi rritje vjetore prej 27.7 për qind, ndërsa vlera e kredive arriti në 183.8 milionë.
Dinamikat në zhvillimet e aktivitetit kreditor të sektorit pasqyruan kryesisht ecuritë pozitive të kreditimit ndaj ekonomive familjare, si kategori me pjesëmarrje prej 66.0 për qind të gjithsej kreditimit të sektorit. Kreditë ndaj ekonomive familjare shënuan rritje vjetore prej 31.7 për qind duke arritur vlerën prej 121.4 milionë euro. Ndërsa kreditë ndaj ndërmarrjeve, me një pjesëmarrje prej 34.0 për qind në gjithsej kreditë e sektorit, u rritën për 20.6 për qind duke arritur vlerën prej 62.4 milionë euro.