Aktuale
Kovaqica në Shalë të Bajgorës po bëhet me rrugë

Fillon ndërtimi i rrugës së Kovaqicës në Shalë të Bajgorës
Ka filluar së realizuari edhe një projekt kapital infrastrukturor në Komunën e Mitrovicës. Drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Naser Muja, bënë të ditur se fjala është për ndërtimin e rrugës së re për në fshatin Kovaqicë të Shalës së Bajgorës, e cila më pastaj lidhet me rrugën e fshtatit Vesekofc në Komunën e Vushtrrisë, e cila tashmë është asfaltuar.
“Kjo rrugë ka një rëndësi të jashtëzakonshme për familjet e pakta që kanë mbetur të jetojnë në Kovaqicë, por edhe për banorët e tërë rajonit të Shalës së Bajgorës, pasi që ajo lidhe këto fshatra me ato të Komunës së Vushtrrisë dhe me vet rrugën magjistrale Mitrovicë-Prishtinë, duke shkurtuar kështu rrugën e atyre që destinacion kanë Prishtinën”, thotë ai.
Përveç kësaj, drejtori Muja thotë se rruga ka rëndësi edhe për faktin se krijon perspektivë për jetë në këto anë, për kthimin e atyre që janë zhvendosur më parë dhe për zhvillimin e turizmit e të bizneseve në fushën e bujqësisë.
Sipas Mujës, projekti për ndërtimin e kësaj rruge parasheh asfaltimin e 8.5 kilometrave të rrugës. Nga rruga kryesore që lidh Mitrovicën me Podujevën deri në Kovaqicë, përkatësisht deri në Vesekofc të Vushtrrisë ku lidhet me rrugën tashmë të asfaltuar, gjatësia e rrugës është 3,5 kilometra, ndërsa 5 kilometra të tjera do të asfaltohen brenda fshatit, duke i lidhur lagjet mes veti dhe me disa lagje të Bajgorës.
Gjerësia e trasesë që do të hapet është 12 metra, ndërsa ajo e rrugës që do të asfaltohet është 5,5 kilometra. Rruga do të ketë edhe trotuare dhe kanalet e ujit anash.
Projekti do të realizohet në faza. Ne kete vite do të realizohet vetëm faza e parë, që përfshin hapjen e trasesë, të kanaleve të ujit, trotuareve dhe shtruarjen në zhavorr, kurse faza e dytë, që është asfaltimi i rrugës, do të realizohet në vitin 2019. I tërë projekti do të kushtoj rreth një milion euro (1.000.000) dhe është bashkëfinancim i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Komunës së Mitrovicës.
