Aktuale
“Kosova s’ka kritere vlerësimi për arkitekturën”

Zhvillimi i hovshëm i teknologjisë aq sa i jep mundësi njerëzve për të njohur botën, për tu shprehur, aq po ka edhe ndikime negative në profesionet e shumta. Ky zhvillim tani po ndikon edhe në profesionin e arkitektit.
Përmes rrjeteve sociale secili individ mund të propozojë, e të jap mendim rreth një plani arkitekturor duke bërë kështu që të mos ketë kritere të vlerësimit.
Profesori i Arkitekturës në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Xhelal Llonçari, në një intervistë për Ndërtimi.info ka thënë se vlerësimi i gjithsecilit person sipas mendimit të vetë, ka bërë që të mos ketë fare kritere në profesionin e arkitekturës.
Në këtë gjendje sipas profesorit po është edhe Kosova. Mungesa e kritereve po krijon një mori anti-vlerash.
“Në një shoqëri të cilën jemi ne, dhe kur ia shtojmë kësaj zhvillimin e hovshëm të teknologjisë dhe mundësisë së njerëzve me u shpreh pa marr parasysh kualitetin, përmbajtjen e tjera po përmes rrjeteve sociale gjithkush ekspozon qet filma, e muzika. Por edhe në shoqëri është vërejtur kur i thua dikujt kjo nuk është asi soji, është kësi soji thotë unë kam kështu. Do të thotë çdo kush vlerëson për vete, është humbur kriteri i vlerësimit dhe kur ka shumë kritere, ku secili individ, ku secili grup e ka kriterin e vetë, në fakt nuk kemi kriter fare. Dhe ne jemi në këtë gjendje. Kur nuk ekziston kriteri i vlerësimit, prandaj kemi një mori anti-vlerash”, tha profesori Llonçari.
Në një shoqëri të zhvilluar ekzistojnë kriteret e vlerësimit. Këto kritere sipas Llonçarit nisin qysh nga librat fetar, kushtetuta, ligjet e programet e partive politike.
Megjithëkëtë profesori Llonçari po thotë se vlerësimi i arkitekturës në Kosovë po bëhet në bazë të interesit të udhëhequr e jo në bazë të vlerave fundamentale arkitektonike.
“Janë disa kode në bazë të cilave bazohet vlerësimi. Natyrisht, nuk mungon këtu edhe aspekti profesional. Kështu që ne nuk kemi kriter të vlerësimit për momentin. Është individual, grupor, në bazë të interesit të udhëhequr, e jo në bazë të vlerave fundamentale arkitektonike në këtë rast”, tha ai.
Gjatë viteve të 90-ta ka pas arkitekturë universale, por ajo çfarë pritet sot sipas Llonçarit është rrahja e fushës së arkitekturës. Rrahje kjo duke u bërë në bazë të traditës tonë.
