Featured
Kosova pa inxhinierë të licencuar të ndërtimit

Edhe pse në Kosovë po ndërtohet me të madhe, në vendin tonë nuk ka inxhinierë të licencuar të ndërtimit.
Se fusha e ndërtimtarisë në vend nuk i ka këta inxhinierë të licencuar e ka thënë profesori i lëndës së “Betonit” në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës, Kadri Morina, në një intervistë për Ndërtimi.info.
Duke folu për rrëshqitjen e murit mbrojtës në rrugën në Veternik, që ndodhi gjatë javës së kaluar si pasojë e vërshimeve, profesori Morina ka thënë se ndërtimtarinë e mundon se nuk dihet se kush po i kryhen fazat deri në përfundim të një projekti.
“Mua më mbreu në momentin që kam kalua aty pari dhe kam vërejtur një rrëshqitje të tillë sepse rruga ka qenë gati për asfaltim, pothuajse gati dhe kur e kam vërejtur atë rrëshqitje më ka ardh shumë keq pse me na ndodh. Pikërisht këto janë aty problemet që neve në ndërtimtari komplet po na mundon dhe ajo është se nuk dihet se kush projekton, kush ndërton, kush mbikëqyrë, kush investon e kush revidon. E, arsyeja është se nuk kemi licenca të profesionalistëve në Kosovë”, është shprehur profesori.
Ai, ka theksuar se qysh në vitet 2003 – 2004 Shoqata e Konstrukterëve ka kërkuara nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) që të lëvizen në drejtim të licencimit të inxhinierëve, por për fatin e keq deri më sot nuk kemi licencim të inxhinierëve.
Profesori i betonit, ka nënvizuar se para tre apo katër vjetësh kishte filluar procesi i licencimit, por që ishte ndal në fazën e dytë dhe më nuk ka vazhduar.
“Zakonisht ne kur kemi punuara para tre vjetëve kemi qenë një grup i profesionistëve, qoftë prej fakultetit, ekonomistëve për t’i licencuar inxhinierët e ardhshëm në operativë. Ata kanë hyrë në fazën e parë, por në fazën e dytë është bllokuar dhe nga ajo ditë nuk kemi. Qëllimi i licencimit është të shikohet apo është përgatitja e kandidatëve për operativë, qoftë për projektim apo për ndërtim”, ka shtuar Morina.
Sipas profesorit Morina, Oda Amerikane ka qenë shtytës që të bëhet ky licencim që nuk ka pasur sukses.
