Aktuale
Kosova kaplohet nga epidemia “Asfalti i Zgjedhjeve” [video]
Faqet zyrtare të komunave dhe kryetarëve të komunave të Kosovës janë pushtuar nga asfalti. Shkak janë zgjedhjet lokale që do të mbahen më 22 tetor.
Shkëndije Ahmeti
I ashtuquajturi “Asfalt i Zgjedhjeve” filloi me masë të madhe në gusht të këtij viti. Kjo “epidemi” po detyron kryetarët e komunave të nxjerrin në pah projektet për asfaltimin e rrugëve, edhe nëpër ato fshatra të cilat shumë kohë më parë patën këtë nevojë.
Besnik Muçiqi nga Instituti për Qeverisje Lokale, ka treguar se si komunat “fshehin” paratë për t’i shfrytëzuar ato në kohë të fushatës. Por veç asfaltimeve të asfaltimeve pjesë e fushatës tani janë bërë edhe ndriçimet publike.
“Nëse shohim linjat buxhetore, shohim se investimet kapitale përtej pagave marrin pjesën më të madhe të shpenzimeve të komunave. Dhe në fakt kjo shumë rritet edhe përtej asaj që ndodh edhe në vitet e zakonshme, në pjesën e fushatës. Kjo prodhohet si mundësi e disa efekteve që i bëjnë komunat. E para ka të bëjë me bartjet e përvitshme, vit pas viti të të hyrave vetanake në listat e projekteve. Një tjetër mundësi që ndodh që projektet e mëdha të planifikuara nga buxhetet komunale, në mungesë të shumës totale në atë investim, copëzohen dhe kthehen në investime të vogla, kryesisht që lidhen me një proces zgjedhor, me rrugë të shkurtra, nëpër lagje, nëpër fshatra në trotuare me një pjesë ndriçim. Ku tash edhe ndriçimi ka filluar të jetë pjesë e fushatave elektorale”, tregoi Muçiqi.
Përtej investimeve kapitale të komunave, “epidemia” e fushatës për asfaltime po bartet edhe tek ministritë e linjës.
“Përtej kësaj, përtej komunave, nëse shohim edhe investimet e ministrive të linjës, në vitet paraprake zgjedhore 2013-të 2014-të shohim se edhe atëherë ndodh një rritje e investimeve të ministrive të linjës nëpër komuna në kohën e fushatave zgjedhore. Kjo përtej që prodhon një kauzo efekt të dukshëm të investimeve kjo e dëmton në masë edhe cilësinë e investimeve”, sqaron Muçiqi.
Për më keq investimet në kohë fushatash nuk iu përcaktohet kostoja dhe as kohë për fillimin e mirëmbajtjeve të rrugëve, e që këto do të jenë sfida për komunat në të ardhmen.
Buxheti për komunat po mbetët në disponim të ministrive, duke shkaktuar kështu edhe sensin e kërkesave të komunave ndaj donatorëve të huaj, thotë Muçiqi.
“Te Ministritë e linjës është një problem shumë i madh. Ato mbajnë në duar një buxhet pothuajse të konsiderueshme me garantin e Komunave, dhe kjo sikurse ka mbetur në vullnetin e ministrit dhe kabinetit se ku të shkojnë këto investime. Kjo në fakt ka dëmtuar në masë edhe sensin e kërkesave të komunave ndaj donatorëve dhe ndaj investitorëve të huaj. Në vend se të kërkoj dhe të shkruaj projekt me paramasa, me kosto benefit dhe me objektiva që do ta arrij ai projekt është më lehtë që të merren tek ministritë e linjës ë kryesisht kanë lidhje politike, lidhen edhe me lidhje politike që kanë në mes të nivelit lokal dhe nivelit qendror”, tha ai.
Asflati në Kosovë ka pushtuar për kohë të gjatë investimet kapitale, duke përfshirë edhe dy projektet madhore të autostradës “Ibrahim Rugova” dhe “Arbën Xhaferi”.