Aktuale
KOSID: Termocentrali i ri do të djegë të ardhmen e Kosovës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/11/termoc.jpg)
Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), ka kundërshtuar vendimin për procedimin me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re” për shkak se i njëjti jo vetëm që nuk do të sigurojë pavarësi të furnizimit por do të dëmtojë shëndetin, mjedisin dhe të ardhmen evropiane të sektorit energjetik në Kosovë.
KOSID nëpërmjet një reagimi thotë se me një proces jotransparent dhe të fshehtë, e vetmja që mund të garantohet është thellimi i varfërisë energjetike, i izolimit dhe i degradimit të mëtejmë të mjedisit dhe shëndetit publik.Sipas KOSID, projekti “Kosova e Re” minon të ardhmen evropiane të Kosovës, pasi në procesin integrues, ai bie ndesh me politikat evropiane të dekarbonizimit, ato të liberalizimit dhe integrimit të tregut dhe me standardet mjedisore e shëndetësore.
“Vendosja e një çmimi në karbon do të jetë patjetër e obligueshme për Kosovën. Kur kësaj i shtojmë koston shtesë shëndetësore dhe mjedisore e djegies së linjitit që kalon mbi 10 cent për kilovat del që ky vendim është edhe ekonomikisht i pafavorshëm. Nuk mund të flitet për një treg liberal e të integruar në qoftë se komponenta kryesore e tregut, e që është konkurrenca, dëmtohet me qëllim që një kompani private të realizoj me çdo kusht fitimin e saj. Në tregun e integruar të energjisë, prodhuesi i energjisë duhet të konkurrojë i barabartë me prodhuesit e tjerë, t’i nënshtrohet rreziqeve që sjellë konkurrenca e lirë dhe të jetë në gjendje të mbijetojë. Duke qenë se teknologjia e djegies së linjitit është çdo ditë e më shumë në rënie, Contour Global-it në mënyrë tërësisht jotransparente dhe të pa arsyetuar i është garantuar kthimi i investimit në kurriz të qytetarëve.
KOSID konsideron që në vend të insistimit për të investuar në linjit, Kosova duhet të fokusohet në investime në efiçiencën e energjisë si burim shtesë i energjisë, në promovimin e energjisë nga burimet e ripërtëritshme dhe në agjendën evropiane të integrimit. Më në fund, investimi një miliardësh në një sektor strategjik siç është energjia, kërkon minimalisht një konsultim të gjerë shoqëror dhe koncensus kombëtar, një vlerësim të ndikimit në mjedis dhe një pasqyrë të qartë të pasojave”, thuhet në reagim.
Transparenca dhe hapja e dosjeve që nga fillimi i këtij procesi është obligim kushtetues, ligjor dhe moral i çdo Qeverie demokratike.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)