Featured
Korzoja e Divan Jollit në Prishtinë, aty ku dikur zhvilloheshin miqësitë [foto]

Në kohën e Shqipërisë, korzoja – shëtitorja ka qenë në rrugën e Divan Jollit, nën drurët freskues në të dy anët përgjatë rrugës. Aty dilnin meshkuj e femra, po jo edhe shqiptaret. Motrat Hasan Beu, meqë e kishin shtëpinë në atë rrugë, përskaj, po i sodisnin ato ecejake të kohës.
Më vonë, korzoja është mbajtur në qendër të Çarshisë së Vjetër, në rruan me kalldrëm që çonte te posta e dikurshme (tashti ndërtesa e Qeverisë dhe e Kuvendit të Kosovës), ndërsa pak më vonë kalon në rrugën e sotme Nëna Terezë, dhe niste nga teatri deri përtej ndërtesës së Komitetit të Atëhershëm.
– Ama, në kohën e Shqipërisë, ishte lezet, nuk di ta përshkruaj atë kënaqësi! – shprehet zonja Zhyzide me memorie shumë të kthjellët. – Ne, robërit, ishim zgjuar, kishim shpëtuar! Pastaj, e tërë Shqipëria erdhi këtu të na shkollonte. Ne nxënësit, kishim gardërobë të bukur shkollore: fund të zi, xhaketë të bardhë, shall kuq e zi, edhe në gërshet vinim fjongo kuq e zi! Prof. Luan Gashi na e mësoi himnin – Rreth flamurit të përbashkuar… Ah sa e bukur ishte!
Bile, Luani, djalë i ri, para se të ikte në Amerikë ka qenë fshehur në Gërmi, se aty ka qenë selia e Ballit Kombëtar.
Korzoja e mëvonshme, nga vitet 60-të e këndej, ishte thjesht institucion social, që sot aq shumë po mungon.
Netët e verës lënë vend për përsiatje të tilla dhe shumëkush nga brezat e dikurshëm me nostalgji kujton kohën kur korzoja e Prishtinës ishte vendi më i parapëlqyer dhe i vetmi ku takoheshin të rinjtë, ku zhvilloheshin miqësitë, lindnin dashuritë..
Burimi: Sanije Gashi – “Prishtina e fëmijërisë sime” / KultPlus.com
( Asokohe femra i takonte hapësirës së brendshme, përderisa jeta publike i takonte meshkujve. Dy indet – rrugët kryesore që e ndikuan zhvillimin e atëhershëm ishin: “divanjolli”, apo indi lindje – perëndim që vinte nga Taukbahçja dhe kalonte mu përmes qendrës së qytetit në Prishtinë, ku zinte vend çarshia dhe vazhdonte deri te stacioni i vjetër i trenit (në Arbëri) i njohur si indi i jetës publike në qytet. Indi tjetër veri – jug ishte më shumë i një rëndësie ekonomike për qytetin, përmes të cilit, karvanët kalonin për në qytetet e tjera të rëndësishme të Ballkanit. Përgjatë kohës kjo rrugë do të shndërrohej në një bosht të zhvillimit fizik të qytetit ) – http://onupmagazine.com/2012/07/3174/
