Aktuale
Kontrata e “Kosovës së Re” ende e papërkthyer as pas 3 muajve të premtuar

Kontrata miliardëshe me mbi 1 mijë faqe për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” që po shihet nga përfaqësues të shoqërisë civile si projekti i dëmshëm për Kosovën, ende gjendet vetëm në versionin e gjuhës angleze. Ani pse ishte thënë se përkthimi i saj në gjuhën shqipe do të bëhet pas tre muajve, shkruan Ndërtimi.info
Tani kur kanë kaluar më shumë se tre muaj që nga fundi i janarit të këtij viti, kontrata miliardëshe e nënshkruar nga Qeveria e Kosovës me Contour Global nuk është përkthyer ende në gjuhën shqipe.
Mos realizimi i përkthimit të kontratës nga gjuha angleze në gjuhën shqipe brenda tre muajve ashtu siç kishte deklaruar vetë ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka ardhur si shkak i volumit dhe kompleksitetit të marrëveshjeve. Kështu thotë për Ndërtimi.info udhëheqësi i divizionit për komunikim me publikun nga MZhE, Naim Zeqiri.
“Përshkak të volumit dhe kompleksitetit të marrëveshjeve”, thuhet në përgjigjien elektronike të MZhE-së.
Megjithatë, Zeqiri ka treguar se është duke u punuar në këtë drejtim dhe se përkthyesit e kontraktuar nga MZhE kanë njoftuar se ky proces është duke u kryer me kujdes.
Sipas tyre pritet që dy marrëveshje të përfundojnë gjatë kësaj jave, e më pas nga dy marrëveshje në fund të çdo jave pasuese.
“Përkthyesit e Kontraktuar nga MZHE kanë njoftuar se procesi i përkthimit është duke u kryer me kujdes. Sipas tyre pritet që dy marrëveshje të përfundohen gjatë kësaj jave. Pastaj nga dy marrëveshje në fund të çdo jave pasuese”, potencoi Zeqiri.
Ndërsa së fundmi, me 25 prill Konsorciumi Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), organizoi konferencë për media ku prezantoi gjetjet nga analiza e marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria e Kosovës me Contour Global për ndërtimin e termocentralit ‘Kosova e Re’.
Burim Ejupi, nga KOSID, ishte shprehur se pas analizimit të këtyre tetë kontratave, shpaloset qartazi se bëhet fjalë për kontratën më të dëmshme për Kosovën në gjithë historinë e saj moderne, andaj ky projekt duhet refuzuar dhe ndaluar.
“Nëse kjo kontratë vihet në jetë, Kosova do të marrë përsipër kosto të papërballueshme dhe të pa merituara. Buxheti i shtetit do të rëndohet dhe shumë projekte jetike për Kosovën nuk do të mund të realizohen për shkak të fokusit në mbulimin e kostove të investimit miliardësh. Contour Global me asnjë logjikë ekonomike nuk mund të quhet investitorë. Përkundrazi, ai është një kontraktorë që do të realizoj një kontratë me as edhe një rrezik të vetëm për kapitalin e tij. Kontratat e ofruara e sjellin Kosovën në prag të kolapsimit ekonomik, andaj, ndalja dhe anulimi i kësaj kontrate janë të domosdoshme për t’i hapur rrugë dialogut të vërtetë shoqëror mbi të ardhmen e sistemit energjetik të Republikës së Kosovës,” kishte deklaruar Ejupi.
Marrëveshja për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” është bërë me 20 dhjetor të 2017-tës.
Sipas kësaj marrëveshjeje, ndërtimi i termocentrali do të ketë një bllok prej 500 megavatëve dhe do të kushtojë 1.3 miliard euro.
ContourGlobal do të siguron kapitalin (30 për qind të vlerës se projektit) dhe kreditë e institucioneve ndërkombëtare financiare, duke e bërë këtë investimin më të madh të realizuar ndonjëherë në Kosovë.
Termocentrali “Kosova e Re” parashikohet të vihet në punë në vitin 2023, ndërsa sipas marrëveshjes Qeveria e Kosovës do ta marrë në pronësi impiantin pas një periudhe 20 vjeçare dhe pa asnjë kosto.
Jetëgjatësia e termocentralit “Kosova e Re” është llogaritur 40 vjet.
