Arkitekturë
Konkurs arti për projektin e Vijës Bregdetare të Qytetit të Vlorës
Bashkia Vlorë, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian kanë vendosur të mbështesin financiarisht një konkurs arti për arte figurative, përfshirë skulptura dhe mozaikë, për projektin e mbështetur financiarisht nga BE “Vija Bregdetare e qytetit të Vlorës – Lungomare”.
Projekti “Vija Bregdetare e qytetit të Vlores-Lungomare” është projekti më i madh në Shqipëri i mbështetur nga BE-ja që është planifikuar me natyrë modernizimi urban dhe bazohet në instalimin në sipërfaqe të elementëve mbështetës urbanë dhe modernizimin e rrjetit të infrastrukturës përgjatë vendit të ndërhyrjes.
Arti ka dhe gjithnjë do të ketë aftësinë të simbolizojë dhe t’i transmetojë mesazhe publikut. Synimi i këtij konkursi arti është garantimi i vizibilitetit të përhershëm të mbështetjes së BE-së për këtë projekt. Ky konkurs arti do t’u sigurojë artistëve shqiptarë mundësinë për të demonstruar aftësitë e tyre dhe për të fituar ekspozim publik.
-Vendi i 1-rë – Delegacioni i BE-së merr përsipër të mbulojë gjithë kostot deri në vlerën maksimale prej 20,000 €, për aktivitete që lidhen me projektimin, zbatimin dhe instalimin përfundimtar të veprës së artit të propozuar në vendin e përcaktuar.
-Vendi i 2-të – një çmim prej 1,000 € do të mbulohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
-Vendi i 3-të – një çmim prej 500 € do të mbulohet nga Bashkia Vlorë.
Veç kësaj, Delegacioni i BE-së, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Vlorë do të kërkojnë mbështetje financiare për realizimin dhe instalimin e veprave artie të fituesve të vendeve të dyta dhe të treta. Përshkrimi bashkangjitur i Projektit “Vija Bregdetare e qytetit të Vlorës – Lungomare” përfshin detaje mbi konkursin dhe kriteret e përzgjedhjes. Lutemi kontaktoni info@euin.al për t’u regjistruar për një seancë për sqarimin e pyetjeve që do të mbahet më 6 tetor 2017, ora 16.30, në Qendrën e Informimit të BE-së, Pallati i Kongreseve, Bulevardi Dëshmoret e Kombit,Tiranë.
Afati për aplikim: 25 tetor 2017, ora 17.00, në Qendrën e Informimit të BE-së, Pallati i Kongreseve, Bulevardi Dëshmoret e Kombit, Tiranë.