Aktuale
Konfirmohet zbritja e tarifës për përdoruesit e shpeshtë të autostradës Milot – Morinë

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e Shqipërisë ka konfirmuar tarifat në zbritje për përdoruesit e shpeshtë të autostradës Milot – Morinë.
Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se në skemën e zbritjes për përdoruesit e shpeshtë do të përfshihen tre kategori:
Automjetet e banorëve të Qarkut Kukës
Autobusët nga dhe për në Qarkun e Kukësit
Automjetet e përdoruesve të shpeshtë
Në kategorinë e parë të automjeteve të banorëve të Qarkut Kukës përfshihen Klasa A dhe B e automjeteve për përdorim personal të regjistruara në Qarkun Kukës.
Këto automjete do të pajisen me OBU (On board unit) të sistemit Digital Pass dhe në OBU nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete për familje. Tarifa e rrugës për 1 kalim për të gjithë automjetet e regjistruara në Qarkun Kukës për klasën A do të jetë 50 lekë me TVSH dhe për automjetet e klasës B do të jetë 100 lekë me TVSH.
Kjo tarifë do të jetë e kufizuar për jo më shumë se 44 kalime në muaj dhe e vlefshme për t’u përdorur brenda periudhës 1 mujore nga data e kryerjes së pagesës për këto kalime (nëse ky numër tejkalohet, atëherë përdoruesi i OBU-t do të duhet të tarifohet sipas vlerës përkatëse të parashikuar në pikën 11.4.5 të kontratës së koncesionit, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net.
Shpenzimet e kryera nga shoqëria koncesionare për koston e pajisjes (OBU) te sistemit Digital Pass cila do t’u jepet falas banorëve të Qarkut Kukës do të përballohet nga pagesa e parashikuar ne pikën 11.8 (b) të Kontratës së Koncesionit. Përdoruesit e Qarkut Kukës do të para blejnë në mënyrë të përshkallëzuar deri në 44 kalime me këtë tarifë të reduktuar.
Në kategorinë e dytë përfshihen autobusët nga dhe për në Qarkun e Kukësit. Tarifa e rrugës për këta autobusë do të jetë prej 100 lekë me TVSH për 1 kalim;
Në kategorinë e tretë përfshihen përdoruesit e shpeshtë të autostradës Milot – Morinë automjetet e të cilëve do të pajisen me OBU (kostua e OBU-t do të përballohet nga këta përdorues të shpeshtë të autostradës) dhe nuk do të regjistrohen më shumë se dy automjete.
Lidhur me kategorinë “përdorues të shpeshtë” pa dallim mjeti, ulja e tarifës do të bëhet për numër kalimesh pasi sistemi do të funksionojë në mënyrë të tillë që do të regjistrojë numrin e kalimeve për çdo mjet.
Nga 20 deri në 30 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 10%;
Mbi 30 deri në 50 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 20%;
Mbi 50 deri në 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 30%;
Mbi 60 kalime në muaj, përdoruesi i shpeshtë do të përfitojë një zbritje në masën 40%;
Kjo skemë zbritjesh për përdoruesit e shpeshtë do të fillojë të zbatohet duke filluar nga
data 17.9.2018.
