Featured
Konaku që ende mirëpret vizitorë – Muzeu Etnografik i Pejës
Gjeneratat e vjetra mund ta njohin si Konaku i Tahir Beut, ndërsa ato të rejat e njohin si Muzeu Etnografik. Konaku i Tahir Beut gjendet shumë afër sheshit “Haxhi Zeka“ dhe bën pjesë në grupin shtëpive të tipit asimetrik në qytetin e Pejës.
Konaku i vjetër u ndërtua në vitin 1800 me lokacion në qendër të qytetit (ndërmjet objektit të komunës dhe postës) dhe këtë lokacion kishte deri në vitin 1960 ku pastaj u bart në Sheshin “ Haxhi Zeka “ ku është edhe tani dhe shfrytëzohet si muze etnografik.Këtë vendim për largimin e konakut e morën pushteti i atëhershëm.
Konaku i Tahir Beut në hapësirën e tij kishte murret rrethuese të oborrit që ishin vazhdimësi e konceptit të mureve rrethuese të insulave në antikitet. Hajati i shtëpisë është tipik mesjetar me hapësirën e lirë dhe të hapur në përdhese, ngritur mbi shtylla druri e parë si një vazhdimësi e tremes-peristilit të shtëpisë antike.
Ky konak paraqet një shtëpi antike që në përbërjen e saj arkitektonike dhe funksionale të strukturës hapësinore-kompozicionale përkon më tipare të shtëpive mesjetare të Pejës. Gjatë konservimit të saj sfidë në veti ishte rregullimi i rrethinës së shtëpisë. Sot skema e bazës së këtij objekti është e tipit “G”. Këtë objekt e karakterizon kurora e kulmit e punuar nga druri, dritaret harmonike dhe divahanja e sipërme të cilat përfaqësojnë një kreacion klasik më interes të lartë e që veçohet me vlera të larta të ndërtimit dhe vlerë të madhe arkitekturore.
Konaku është në mbrojte të ligjit që nga viti 1955 ndërsa shfrytëzimi i saj i tanishëm si muze regjional etnografik është mjaft i qëlluar. Në këtë shtëpi të stilit tradicional të “konakut“ ruhen koleksionet e artefakteve etnografike si dhe rekonstruktime nga të cilat mund të krijojmë një lidhje me elegancën e jetës qytetare të së kaluarës në Kosovë. Sot atë mund ta vizitoni dhe të shihni të ekspozuara në galeri të ndryshme artizanale tradicionale kombëtare dhe veshjet karakteristike të Rugovës e të Rrafshit të Dukagjinit. Ngjyrat dhe mjeshtëria e tekstileve dhe produktet artizanale nga metali dhe druri i gdhendur shndrisni në dhomat e vjetra të muzeut.
You must be logged in to post a comment Login