Featured
Konaku që e ngriti Haxhi Zeka, 167 vjet simbol i rezistencës
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2017/12/F5.Konaku-i-Jashar-Pashes-Peje.jpg)
Në bërthamë të qytetit të Pejës gjendet një nga ndërtesat më të vjetra dhe më të rëndësishme të këtij vendi. Konaku i Jashar Pashës tash konsiderohet simbol i rezistencës.
Ndërtimi i konakut në pjesën e zgjeruar të Çarshisë, filloi në vitin 1850, për tu vazhduar në vitin 1902.
Këtë konak, që tashmë është pasuri kulturore e Kosovës, filloi ta ndërtojë patrioti Haxhi Zeka, i cili kishe ndërtuar edhe disa konake tjera në regjionin e Pejës. Pas 52 vjetësh vazhdimin e ndërtimit të këtij objekti e bëri nipi i Haxhi Zekës. E, duke qenë ndërtimin e vazhdoi djali i vëllait, Jashar Pasha, ky konak mori emrin e tij.
Konaku i Jashar Pashës paraqet një shembull të zhvilluar të banesës qytetare, pjesë e një kompleksi me Kullën e Haxhi Zekës. Ndërtesa e tanishme është rindërtim i konakut të vjetër,i cili ishte i ngritur mbi bazën e murit të gurit, me hatulla, me mure të trasha qerpiçi në sistemin “bondruk”. Shtëpia ka bazë me dimensione prej: 19.50 x 13.80 m.
Nga pikëpamja kompozicionale kjo shtëpi veçohet me praninë e një gjysmëkati në formë suterreni me tri kthina,e dy kateve me holl qendror dhe dy qoshqeve në katin e dytë. Gjysmëkati ka tri hyrje ndërsa në katet e sipërme qasja bëhet kah hyrja qendrore e theksuar me një lloj hajati nën qoshkun e katit të sipërm.
Të dy katet zhvillohen rreth një holli të parregullt. Kati i parë ka tri dhoma dhe një qoshk ndërsa në katin e sipërm arrihet përmes shkallëve dykrahëshe, tek i cili holli zvogëlohet në dobi të një dhome. Çdo dhomë ka ngrohësin, hamamxhikun dhe dollapët e drurit.
Në pikëpamjen dekorative kati i dytë dallohet me tavanet e kthinave dhe qoshqeve të punuara me dru të gdhendur me dorë. Konaku ka edhe të ashtuquajturën “ashqihan” e “syndyrme” dhe hajatin që shërbejnë për përgatitjen e ushqimit.
Objekti është shfrytëzuar nga familja gjerë në vitin 1999, kur u djeg nga forcat serbe. Pas luftës objekti ka fituar prioritet për restaurim dhe është përfunduar në vitin 2011.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)