Aktuale
Komunave u rritet buxheti për 52 milionë euro

Viti 2018 do të jetë për 52 milionë euro më shumë në buxhetet e Komunave të Kosovës për dallim nga viti 2017. Nga këto mjete, 18 milionë euro shkojnë për shërbime dhe mallra dhe 9 milionë euro për rritjen e pagave prej 4 për qind. Kështu u tha sot nga drejtori për Buxhet i Ministrisë së Financave Salvador Elmazi në takimin me Asociacionin e Komunave të Kosovës.
Kjo është arritur edhe nga lobimi i vazhdueshëm i AKK-së për më shumë buxhet për Komunat e Kosovës meqë ka diskrepancë mes kërkesave e nevojave të qytetarëve dhe mundësive buxhetore që kanë organet e qeverisjes lokale, transmeton InfoKomuna.
Në takimin e sotëm, të organizuar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës u mbajt punëtoria me Kryetarët e Komunave, të zgjedhur për herë të parë.
Drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi, tha se qëllimi i kësaj punëtorie është “prezantimi para jush i disa nga aspektet e përgjithshme të qeverisjes lokale dhe familjarizimit me procedura dhe akte të ndryshme ligjore”.
Para kryetarëve të zgjedhur për herë të parë në krye të Komunave të Kosovës u prezantuan aspektet e financave lokale nga ana e Salvador Elmazit, drejtor për Buxhet i Ministrisë së Financave.
Për çështjet, procedurat dhe problemet që mund të kenë komunat me aspektet e shërbimit civil, personelit dhe të ngjashme, foli Tefik Mahmuti, drejtor i Administrimit të Shërbimit Civil në Ministrinë e Administratës Publike.
Njëra ndër çështjet me problemet më të mëdha, sidomos në procedura – Prokurimi Publik, u debatua, ku prezantoi Safet Hoxha, kryetar i Komisionit Rreullativ për Prokurim Publik i cili sqaroi anën administrative dhe procedurale dhe përgjegjësitë kryesore të kryetarëve.
Në diskutimet lidhur me prezantimet e sotme, kryetarët e Komunave dhe përfaqësuesit e këtyre institucioneve qendrore debatuan për aspekte të ndryshme të problemeve dhe sfidave duke kërkuar zgjidhje të veçanta në mënyrë që qeverisja lokale në komunat e Kosovës të jetë efektive, transparente dhe e përgjegjshme para qytetarëve të tyre.
