Aktuale
Transparenca e komunave në Prokurim Publik rritet për 2.6%, për vitin 2018
Instituti Demokaratik i Kosovës e përkrahur nga USAID përmes aktivitetit “Komuna Transparente Efektive dhe Llogaridhënëse” ka paraqitur raportin e transparencës së komunave të Kosovës në lidhje me prokurimin publik, për vitin 2018.
I pari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se komuna që ai e udhëheqë e që është radhitur e para për transparencë gjatë vitit të kaluar, ka marrë vendim që të publikojë çdo vendim që merret në këtë komunë. Për këtë ai tha se zyrtarët e komunës nuk kërkojnë dreka e darka sepse e dijnë që këto fatura do të publikohen.
“Ne po e publikojme dokumentin ende pa e kërkuar qytetari. Kjo është e mirë edhe në ruajtjen e parasë publike. Rruga përpara është transparenca e plotë.
Ndërsa Ahmeti tha se edhe sa u përket ndarjeve të subvencioneve dhe grandeve, çdo herë publikohet lista e plotë e çdo ndarje si dhe merren tre pjesëmarrës të jashtëm gjatë ndarjes së tyre.
E për këtë çështje foli edhe Arben Kelmendi, Program Menaxher nga KDI, i cili tha se tha se publikimi i rregullt i Indeksit të Transaprencës vazhdon të hedhë dritë e t’i stimulojë institucionet për ta përmirësuar cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve.
Ndërkohë Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal tha se edhe pse komunat kanë shënuar rritje nga vitet tjera mbetet akoma për të përmirësuar transaprencën në prokurim publik.
“Vërehet se komunat kanë shënuar rritje për 6.2 për qind sa i përket nivelit të transparencës. Transparenca komunale rangohet nga fushat më me rritje sa i përket të arriturave komunale. Me përqindje më të ulët mbetet raportimi i planit të integritetit përpara kuvendit komunal. 8 komuna nuk kanë përmbushur obligimin ligjor për publikimin e dokumenteve buxhetore”, tha Ukimeraj.
Në 12 komunat që jane radhitur më lartë në vlerësimin e transparencës, Komuna e Prishtinës, Vushtrrisë dhe Mitrovicës kryesojnë në këtë radhitje, duke lënë të fundit Gjakovën, Klinën dhe Hanin e Elezit.
Diana Metushi-Krasniqi, Menaxhere e projektit të KDI-së, tregoi të gjeturat e KDI-së për komunat për vitin e kaluar.
“Në vitin 2018 Kosova shënoi progres të dukshëm në transparencën e prokurimit publik si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal qeverisës. Më në fund u trajtuan sfidat teknike dhe politike të cilat i pengonin qeveritë lokale që të japin plotësisht rezultate në transparencë. 24 komuna i kanë publikuar planet e tyre të prokurimit dhe 20 komuna i kanë publikuar raportet vjetore të prokurimit.Në 2018, KDI filloi matjen e tetë treguesve që kanë të bëjnë me informimin dhe pjesëmarrjen e publikut. Rezultatet tregojnë se të gjitha komunat i kanë të hapura seancat për hapjen e tenderëve për të gjithë qytetarët. KDI në 2019 filloi edhe matjen e transparencës në grante dhe financim, sipas rezultateve të kësaj mase, 32 komuna i publikojnë thirrjet e tyre për grante në faqet e tyre të internetit dhe 22 komuna i publikojnë rezultatet e dhënies së grantit”, tha Krasniqi.
Ajo gjithashtu tregoi se në pikat si publikimi i ankandeve dhe ankesave të shkallës së parë komunat në përgjithësi janë një hap prapa.
Ndërsa në lidhje me qasjen në dokumentet publike dhe rritjen e transparencës buxhetore, komunat e Kosovës kanë shënuar vetëdijësim për këto çështje.
“Qasja në dokumente publike ka përformancë 82%, mirëpo në rastet e refuzimeve komunat janë lajmëruar dhe arsyetuar në përputhje me ligjin. Ndërsa rritja e transparencës buxhetore është rritje për 16%”.
Për këto mangësi që kanë treguar komunat Metushi – Krasniqi, ka rekomanduar që ato të rregullohen. Ajo gjithashtu ka kërkuar që të angazhojnë qytetarët në vendimarrjet komunale.
Sivjet është viti i pestë, që nga viti 2014 kur Instituti Demokratik i Kosovës mbajti tryezën e parë, për të diskutuar në lidhje me transaprencën në prokurim publik për komunat e Kosovës. E që kjo ngjarje ka vazhduar të mbahet çdo vit.