Featured
Komuna pranon se nuk ka përfunduar rruga Matiqan-Gërmi-Butovc-Kolovicë

I pari i Prishtinës, Shpend Ahmeti dje ka njoftuar se kanë përfunduar punimet në rrugën Matiqan-Gërmi-Butovc-Kolovicë. Mirëpo, qytetarët po konsiderojnë se kjo rrugë nuk është e përfunduar dhe e qarkullueshmë në të gjitha korsitë e saj, raporton Ndërtimi.info.
E, sipas qytetarëve asfaltimi i rrugës nuk ka përfshirë të gjitha pjesët, siç është deklaruar.
“Matiqan -Germi – Kolovicë rruga e asfaltuar, por jo edhe per Butovc, mos e perfshini Butovcin ne ket rruge , kur nuk eshte asfaltuar rruga per Butovc”, ka komentuar një qytetarë në postimin e Ahmetit, ku lajmëron përfundimin e punimeve, raporton Ndërtimi.info.
Përveç Butovcit, sipas qytetarëve në këtë projekt nuk është asfaltuar as pjesa e Kolovicës.
“Kolovica nuk është prek se di si mund thon u kry, ky është tmerr”, thuhet në komentin e një qytetari tjetër.
Sipas fotove të dërguara nga qytetarët, kjo rrugë e sapo asfaltuar është prerë menjëherë dhe vështirëson qarkullimin.
Në Komunën e Prishtinën, në një përgjigje për Ndërtimi.info, kanë pranuar se ende nuk kanë përfunduar të gjitha punimet në këtë rrugë.
“Asfaltimi i rrugës Matiqan –Butovc – Kolovicë ka përfunduar, por të gjitha punimet ende nuk kanë përfunduar dhe nuk është mbyllur kontrata. Pas vizitës në teren të kësaj rruge është vërejtur një deformim në shtresën e asfaltit dhe i është dhënë urdhër kompanisë që ti bëjë sanimet. Këto sanime kanë filluar të punohen dhe përmirësohen. Të gjitha punimet priten të përfundohen brenda kësaj jave. Ka mbetur të punohen një pjesë e bankinave, betonimi i një segmenti të trotuarit në hyrje të Kolovicës dhe pastrimi i komplet trasesë”, ka thënë Miranda Mullafazliu nga Komuna e Prishtinës.
Asfaltimi i kësaj rruge që lidhë një pjesë priferike të komunës së Prishtinës kishte filluar më 27 mars të këtij viti.
