Featured
Komuna nuk ia ka idenë për dëmtimin e kanalit të Qokolicës në qendër të Pejës
As 100 metra larg zyrave të Drejtorisë për Punë Komunale dhe Shërbime Publike, para një muaji është shfaqur një hapje e madhe në pjesën e kanalit të Qokolicës ku kalon nën tokë, në afërsi të parkut të dëshmorëve, në qendër të qytetit.
Në atë pjesë para hyrjes në korzo të qytetit, mes ndërtesës së Komunës, Postes dhe hotelit është ndërtuar sheshi i ri me një projekt publiko-privat, shkruan sot Koha Ditore.
Punimet janë kryer nga operatori i kontraktuar nga Komuna për mirëmbajtje verore të rrugëve “Lika Trade”.
Se a është thyer kanali nga betoni gjatë punimeve, a është shembur vetë apo është hapur qëllimisht, organet kompetente të komunës nuk e dinë.
Madje drejtori për Punë Komunale dhe Shërbime Publike pohon se as që ka pasur njohuri për kanalin e dëmtuar të Qokolicës në atë pjesë.



