Aktuale
Komuna e Rahovecit me mangësi në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë

Komuna e Rahovecit kishte dobësi sistematike në menaxhimin e pagesave për investime gjatë vitit 2018 si dhe mangësi në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë.
Kështu ka vlerësuar Zyra Kombëtare e Audimit (ZKA) në raportin e auditimit për vitin 2018, shkruan Ndërtimi.info.
Në dy raste komuna kishte ekzekutuar pagesat në mungesë të raportit për pranimin e punëve ku vlera në total e pagesave ishte 15,206€. Shkaku i kësaj dukurie ishte neglizhenca nga ana e stafit dhe përgjegjësia për të implementuar ligjet dhe rregullat në fuqi, ku për pasojë kanë dështuar kontrollet e brendshme.
Sipas ZKA-së kjo praraqet dy rreziqe për Komunën e Rahovecit.
“Realizimi i pagesave në mungesë të dokumentacionit përkatës siç kërkohet me ligjet dhe rregullat në fuqi rrit rrezikun që këto pagesa të mos realizohen për qëllimin të cilin janë destinuar apo rrezikun që komuna potencialisht ka paguar punë të cilat mund edhe të mos jen përfunduar”, thuhet në raport.
E, Auditori rekomandon kryetarin e Rahovecit që të sigurojë që personat përgjegjës kontrollojnë dokumentacionin e nevojshëm para ekzekutimit të pagesave si dhe të forcoj masat e kontrollit që punët apo mallrat pranohen nëpërmes dëshmive përkatëse apo raporteve të pranimit.
ZKA-ja gjithashtu ka gjetur se në tri raste Komuna ka kalkuluar gabimisht tatimin duke përllogaritur normën e kualitetit të ndërtimit me 1.1(shkëlqyeshëm) për objektet e papërfunduara duke mbivlerësuar ngarkesën tatimore. Ndërsa në dy raste tjera vlera për m2 nuk është përllogaritur në përputhje me rregulloren e tatimit në pronë. Në dy raste, tatimi në pronë (për afarizëm industrial “bodrum mbi dhe nën tokë”) është kalkuluar dhe faturuar me koeficientin të gabuar duke përllogaritur vlerën e tatimit me koeficientet 0.79 në rastin e parë dhe 0.82 në rastin e dytë, koeficient këta që nuk parashihen në rregullore.
Sipas raportit të Auditorit mungesa e kontrolleve efektive në menaxhimin e të hyrave nga tatimi në pronë do të vazhdojë të rezultojë me shkallë të ulët të arkëtimit, kurse me rastin e mbivlerësimit të barrës tatimore, komuna i ekspozohet humbjes së besimit për trajtim të drejt të tatimpaguesve dhe mund të përballet me padi nga taksapaguesit.
Për këtë ZKA-ja ka dhënë një rekomandim për përmirësimin e gjendjes.
“Kryetari duhet të vendos kontrolle të qëndrueshme që sigurojnë një arkëtim efektiv të të hyrave, duke përfshirë dhe përcaktuar vlerësimin e drejtë të barrës tatimore në përputhje me rregullat dhe gjendjen faktike në teren duke angazhuar anketues kompetent”, thuhet në raport.
Në anën tjetër, planifikimi dhe realizimi i buxhetit, prokurimit, shpenzimet jo përmes prokurimit, menaxhimin e llogarive të arkëtueshme, menaxhimin e llogarive të pagueshme, menaxhimin e të hyrave, dhe menaxhimin e dosjeve të personelit , sipas ZKA-së, janë fusha ku kërkojnë përmirësime të mëtejshëme në Komunën e Rahovecit.
