Aktuale
Komuna e Prizrenit shkel Ligjin me projektin për teleferik, përmendet skenar i rrezikshëm [video]
Buzë lumit Lumbardh kah zona e bukur e Marashit po planifikohet të ndërtohet teleferiku që t’i shpie njerëzit deri në Kalanë e Prizrenit. Mirëpo, gjërat nuk kanë shkuar si duhet.
Komuna e Prizrenit ka hapur tenderin me vlerë të parashikuar 3 milionë e 470 mijë euro për të ndërtuar teleferikun deri në Kala. Paraprakisht këtë projekt e kanë refuzuar edhe shoqëria civile, por edhe Këshilli për Trashëgimi Kulturore për Qendrën Historike të Prizrenit dhe Departamenti i Trashëgimisë Kulturore, raporton Ndertimi.info.
Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha ka thënë se ata janë konsultuar dhe kanë qenë në darkordancë të plotë për këtë projekt me shoqërinë civile dhe partitë politike.
“Komuna e Prizrenit në konsultim me shoqërinë civile dhe autoritet partiake, e ka diskutuar këtë projekt dhe kemi marrë vendim unanim, ‘po’, Prizrenit dhe Kalasë së Prizrenit i nevojitet një ndërtimi i teleferikut. Pas kësaj dakordance të plotë, ne kemi hapur politikat tenderuese”, ka thënë Berisha.
Në lidhje me reagimin e organizatës “Ec Ma Ndryshe“, Berisha thotë se Komuna e Prizrenit është Akademi Shkencore.
“Komuna e Prizrenit krahasuar me mendimin e Ec Ma Ndryshe është akademi shkencore, arkitekturore për arsye se ka konsultuar ekspertizën profesionale”, shtoi ai.
Kurse drejtori ekzekutiv i organizatës “Ec Ma Ndryshe”, Edon Mullafetahu ka thënë qartazi se ky vazhdimi i procesit tenderues të këtij projekti është shkelje e ligjit.
“Paraqet një shkelje ligjore me vazhdimin e procesit të tenderimit. Nëse projekti ideor nuk ka kaluar nga institucionet dhe nuk konsumohet edhe pak kohë për harmonizimin e projektit në përputhje me vlerësimet e institucioneve, atëherë vazhdimi i procedurave nënkupton shkelje ligjore, që është direkt shkelje e Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe Ligjit për Qendrën Historike në Prizren”, ka thënë Mullafetahu.
Ai madje jep edhe një skenar të mundshëm se çka mund të bëjë Komuna e Prizrenit.
“Ajo pse ne insistojmë që urgjentisht ose menjëherë komuna duhet ta ndalë procesin e tenderimit është se një skenar i mundshëm është se buxheti i taksapaguesve të Kosovës të dëmtohet. Në qoftë se shpallet fituesi dhe ai fitues hyn në marrëdhënie kontraktuale me komunën dhe në qoftë se komuna nuk mund t’i sigurojë lejet për realizmit të projektit dhe kjo nënkupton shkëputje të njëanshme të kontratës nga ana e Komunës, që duhet t’i dëmshpërblejë 10% të vlerës së projektit, diku 340-350 mijë euro”, shtoi Edon Mullafetahu, udhëheqës i “Ec Ma Ndryshe”.
Se Komuna e Prizrenit ka vepruar në jo-koordinim me faktorët tjerë dhe ligjin, e thotë edhe kryetari i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi, Shafi Gashi.
“Komuna e Prizrenit ka vazhduar procedurat jo shumë në koordinim me faktorët tjerë, qoftë me shoqërinë civile, qoftë institucionet që janë kompetente, por qoftë edhe në harmoni me ligjin, më tutje nuk kam informacion”, ka thënë Gashi.
Projekti i parë për një teleferik që lidh qytetin e Prizrenit me Kalanë e Prizrenit daton nga viti 1969, produkt i një grupi slloven që ka bërë edhe gërmime në Kala.
Nëse, sipas zëdhënësit Berisha, shkon gjithçka si duhet, vizita e parë me teleferik do të bëhet në fund të këtij viti.
You must be logged in to post a comment Login