Aktuale
Komuna e Prishtinës thotë se objekti i gjimnazit “Ahmeti Gashi” është i papërshtatshëm, aty do të ndërtohet shkollë e re
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala ka mbajtur një konferencë për media lidhur me problemet në Gjimnazin “Ahmet Gashi”.
Ajo sqaroi problemin e rrënimit të shkollës duke thënë se ndërtesa nuk i plotëson kushtet për të mbajtur mësim.
“Ne e kemi vlerësuar se objekti nuk i plotëson kushtet për të mbajtur mësim dhe rrezikohet jeta e fëmijëve”, tha ajo, raporton KTV.
E në anën tjetër Ferid Fazliu inxhinier nga Drejtoria e investimeve Kapitale tha se një kompani ka vlerësuar strukturën e objektit të shkollës dhe ka marrë vendim të rrënohet.
“Kompania e ka bërë një raport në të cilin thuhet që objekti nuk ka stabilitet. Është ndërtuar në vitet e ’60 dhe tashmë janë dëmtuar shtyllat e objektit. Nga ky aspekt ata kanë ardhë në përfundim që duhet të rrënohet objekti dhe ndërtohet një i ri”, tha ai.
Më tutje Shala tha se patjetër do të ndërtohet shkollë në atë lokacion.
“Ne kemi dalë nga një takim me këshillin drejtues të shkollës dhe nxënësit e i kemi siguruar se aty do të ketë ndërtim të shkollës”, tha tutje.
Ajo shtoi se dislokimi i nxënësve është bërë për shkaqe të sigurisë. E pastaj ka siguruar se nuk do të ndërtohet një qendër tregtare siç flitej.
Komuna e Prishtinës ende nuk e ka një vendim zyrtar për ndërtim të ndonjë objekti në lokacionin e gjimnazit “Ahmet Gashi”.
Ndërkaq, Adrian Berisha, anëtar i Kuvendit Komunal tha se Lëvizja Vetëvendosje po manipulohet me nxënësit e gjimnazit.
“Është e tmerrshme se si nxënësit e shkollës po manipulohen nga paritë politike. Po e kam fjalën për Vetëvendosjen dhe kam fakte për këtë” ka thënë Berisha.
Objekti i Gjimnazit “Ahmet Gashi” pritet të rrënohet për shkak se siç thonë nga Komuna është i vjetër dhe rrezikon nxënësit.