Connect with us

Aktuale

Komuna e Prishtinës planifikon shesh të ri por s’ka plan për tollovinë nga makinat

Published

on

Kryeqytetit së shpejti pritet t’i shtohet edhe një shesh i ri, i cili po parashihet të bëhet nga hotel “Grandi” deri tek “Katedralja”, por mbyllja për qarkullim të automjeteve e rrugës e cila mban emrin “Xhorxh Bush”, po shihet si vendim i gabuar i cili do ta shtojë edhe më shumë tollovinë në trafik.

Ndonëse testimet për të parë ndikimin e mbylljes së kësaj rruge në trafikun rrugor kanë filluar kohë më parë, Komuna e Prishtinës ende nuk ka plan konkret se kur do nisin punimet dhe si do duket ky shesh.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri për KosovaPress ka thënë se testimet do bëhen edhe gjatë ditëve të punës, ndërsa, ky zgjerim i sheshit do pasurohet edhe me hapësira rekreative.

“Ne javë më parë e kemi testuar një të diel duke e bllokuar në mënyrë që ta shohim se a do kemi probleme në trafik apo jo, dhe atë ditë ka shkuar shumë mirë. Përndryshe do vazhdojmë ta testojmë edhe në të diela dhe të shtune të tjera, ashtu që ta kemi më të qartë se si do jetë ndikimi i atij sheshi në trafikun rrugor në Prishtinë. Është e rëndësishme të theksohet se komuna ka paraparë që përveç zgjatjes së sheshit qendror deri tek semaforët, katedralja në atë pjesë të ketë edhe hapësira të vogla rekreative”, ka deklaruar Tahiri.

Por njohësi i çështjeve të trafikut rrugor, Muhamed Krasniqi ka këshilluar që fillimisht të bëhet një planifikim i duhur për qarkullimin e automjeteve, sepse bllokimi i kësaj rruge mund të shkaktojë vështirësi të mëdha në trafik.

Sipas tij, me qëllim që testimet për mbylljen e rrugës “Xhorxh Bush” të tregojnë efektin real, ato duhet të bëhen gjatë ditëve kur ka fluks më të madh të automjeteve.

“Zgjerimi i kësaj shëtitore të qytetit duhet paraprakisht të bëhet një plan, një analizë e thuktë e qarkullimit dhe lëvizjes të automjeteve. Qyteti i Prishtinës edhe ashtu është i stërmbushur dhe i stërngarkuar dhe ka një fluks të automjeteve pothuajse në të gjithat periudhat kohore brenda ditëve të punës, dhe krijimi dhe zgjerimi i sheshit normalisht do krijoj vështirësi të mëdha në qarkullimin e automjeteve …Para fillimit të punimeve apo para ndalesës së automjeteve duhet të krijohen zgjidhje alternative dhe duhet të krijohet një plan i saktë dhe i bazuar duhet të analizohen rrugët ekzistuese, udhëkryqet ekzistuese dhe hapësirat tjera ekzistuese ku do të mund të bëhej dhe të orientohej ky qarkullim i automjeteve”, u shpreh Krasniqi.

Eksperti i trafikut rrugor po ashtu thotë se është tejet e rëndësishme që para fillimit të ndërtimit të këtij sheshi të parashihen edhe lëvizjet për rastet emergjente.

Se zgjerimi i sheshit përmes rrugës “Xhorxh Bush”, do shkaktojë tollovi në trafik e thotë edhe asamblistja e Kuvendit komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Fiknete Bejta.

Bejta për KosovaPress ka thënë se për këtë vendim komuna nuk ka marrë mendimin e opozitës, pasi që një vendim i tillë nuk ka ardhur fare në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

“Si asamblist të LDK-së këtë lajm e kemi marrë vesh prej mediave sepse në Kuvend nuk ka ardhur një vendim i tillë, nuk është diskutuar, nuk jemi të informuar, mënyra se si është prezantuar në publik edhe ky vendim mendoj që është i ngutshëm, nuk ka pasur ndonjë analizë paraprake. Vetë rruga që paraqet një arterie kryesore të qytetit edhe mund të ndikoj në bllokimin e më tutjemë të qytetit. Mendoj që është e pa menduar mirë dhe komuna nuk ka prezantuar ndonjë alternativ për zhbllokim të rrugës nëse mbyllet ajo”, ka thënë Bejta.

Lidhur me zgjerimin e shëtitores së kryeqytetit deri tek Katedralja, qytetarët kanë mendime të ndryshme.

Iniciativën për zgjerimin e sheshit e ka konsideruar si krejtësisht të panevojshme, Mirsad Morina, i cili për KosovaPress ka thënë se nëse mbyllet kjo rrugë, do ketë telashe të shumta në trafik.

Ai ka edhe një këshillë për komunën e Prishtinës.

“Ideja është shumë palidhje, nuk ka nevojë të bëhet shesh, këtu është zemra e qytetit, nëse mbyllet kjo arterie do të thotë i tërë qyteti bllokohet. Së pari duhet të bëhet zgjidhje tani të shikohet si do të bëhet. Komuna po e mbyll rrugën të dielën, le të dal ta mbyllë gjatë punës, prej orës 7 mëngjes deri ora 8 mbrëmje”, u shpreh ky kryeqytetas.

Qytetari Isuf Musliu, ndonëse i gëzohet ndërtimit të këtij sheshi, ai si kërkesë ka që fillimisht të zgjidhet problemi i qarkullimit të automjeteve përmes rrugëve alternative.

“Si ide është e qëlluar, por jo të bëhet sikur në rrugët tjera, të mos ndërtohet kurrë, hiç, edhe qytetarët të kenë mundësi të ecin as këmbë, as me automjete, ky është problemi… sepse nuk i besoj komunës edhe idetë e mira kur i ka sepse nuk po i realizon”, ka thënë ky banor.

Kthimin e rrugëve nga Katedralja deri tek hoteli “Grand” në shesh e ka mirëpritur Sahit Marashi, i cili tha se është mirë të ketë sa më shumë hapësira rekreative në kryeqytet.

“Ka qenë e nevojshme. Probleme ashtu-ashtu ka komunikacioni, sa më shumë hapësira në këtë pjesë është aq më mirë edhe për pleq edhe për të rinj”, ka deklaruar Marashi.

Përveç tri shesheve ekzistuese që tani janë në Prishtinë, së fundmi në kryeqytet pas rinovimit për shfrytëzim u hap edhe sheshi “Adem Jashari”.

Aktuale

Deodorantë, shishe uji plastike…: Çfarë nuk duhet të lini në vetura në ditët e nxehta?

Published

on

Dielli dhe nxehtësia kanë një efekt shkatërrues në disa gjëra që përdorim dhe nuk është e mençur t’i lëmë në vetura.

Duket e arsyeshme të mbani një shishe me ujë në veturën tuaj gjatë një vale të nxehtë. Megjithatë, bisfenoli A dhe ftalat në plastikë, kimikate që veprojnë si lidhës dhe e bëjnë plastikën fleksibël, po shkaktojnë shqetësim tek ekspertët që studiojnë efektet e tyre në shëndetin e njeriut. Lënia e ujit në shishe plastike në një makinë të nxehtë mund të bëjë që këto substanca të lëshohen në ujë, shkruan The Sunday Times.

Nxehtësia e madhe në vetura mund të dëmtojë bateritë e të gjitha pajisjeve që i përdorin, që nga kompjuteri, celularët… Ka edhe shishe me krem kundër diellit, të cilat nuk duhet t’i lini në diell (një paradoks interesant, apo jo?) sepse në disa raste mund të shpërthejnë. Më pas janë të gjitha spërkatjet, nga deodoranti tek llaku i flokëve. Kur temperatura arrin rreth 48 gradë Celsius, presioni në rezervuar rritet mjaftueshëm për të shkaktuar një shpërthim, thonë ekspertët. Kornizat plastike të syzeve të diellit mund të shtrembërohen dhe zbardhen, dhe lentet mund të shtrembërohen.

Disa ilaçe, si antibiotikët, duhen mbajtur në frigorifer. Ilaçet në përgjithësi nuk e tolerojnë nxehtësinë dhe disa prej tyre do të bëhen të papërdorshme pas ekspozimit ndaj temperaturave jashtëzakonisht të larta. Nëse përdorni injeksione adrenaline, dobia e tyre zhduket në automjetet e nxehta. E cila, natyrisht, është çështje jete ose vdekjeje.

Buzëkuqi do të shkrihet në temperatura të larta.

Është dokumentuar se kanaçet e gazrave mund të shpërthejnë kur ekspozohen ndaj nxehtësisë ekstreme. Edhe lëngu i portokallit mund të shpërthejë nëse lihet në makinë për një kohë të gjatë, dhe kjo do të thotë një brendshme ngjitëse…

Lënia e çakmakut të disponueshëm në makina në ditët e nxehta nuk është një ide e zgjuar. Shpërthimi i tyre mund të shkaktojë dëme të mëdha dhe madje të thyejë xhamin e përparmë./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Themelohet Oda e Minierave të Kosovës

Published

on

Me ceremoni të mërkurën është bërë hapja e Odës së Minierave të Kosovës që u konsiderua një hap tejet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik, raporton Ekonomia Online.

Themeluesi, Mentor Demi, ka thënë se kjo ceremoni është një hap shumë i rëndësishëm në drejtim të zhvillimit të industrisë së minierave në Kosovë.

Alaudin Kodra, anëtar i Bordit në Odën e Minierave të Kosovës, ka thënë se gjeologjia e Kosovës, është e pasur dhe pikërisht kjo ka qenë një nga arsyet e fillimit të tij për punuar në Kosovë.

“Ligji minerar është ligj i mrekullueshëm i cilësisë së lartë për dallim nga. Pjesa perëndimore e Kosovës është një vazhdimësi e gjeologjisë së Shqipërisë. Kosovës i duhen kompani serioze, dua të iu urojë gjithë të mirat të keni suksese”, ka thënë nder tjera Kodra.

Zëvendësministri i Industrisë, Sipërmarrjes dhe Tregtisë, Mentor Arifaj, ka thënë se kontributi i madh për të ardhur deri te hapja e Odës është për tu vlerësuar.

“Do ta luajë një rol ndërmjet një katalizatori i akterëve të shumtë dhe investitorëve potencial qoftë vendor apo ndërkombëtarë. Oda do ta luajë një rol të rëndësishëm në kuptimin e avancimit duke përfshirë njësi të ndryshme në arenën ndërkombëtare në sektorin e minierave”, ka thënë ai.

Nurten Deva, Rektor i Universitetit Isa Boletini, ka thënë se zhvillimi i industrisë minerare ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik.

“E përgëzojë zotëri Demin për guximin që ka ndërmarrë një hap të tillë për themelimin e një odë nga privatët. Nuk e kanë pas mbështetjen e duhur për të arritur vizionin në planet e tyre strategjike”, ka thënë Deva. Andor Lips, Drejtori jo-ekzekutiv në Western Tethyan Resources, ka thënë se Osat kanë shumë të rëndësishme si një lloj urë lidhëse në mes të investitorëve të huaj dhe institucioneve shtetërore./Media Ndërtimi

Continue Reading

Aktuale

Gjykata e Apelit anulon vendimin për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit në Vjosë

Published

on

Pas 10 vitesh nëpër procese gjyqsore, banorët e Mallakastrës fituan të parën betejë ligjore për çështjet mjedisore në vendin tonë. Gjykata Administrative e Apelit në Tiranë anuloi të mërkurën vendimin për ndërtimin e hidrocentralit Poçem në lumin Vjosa. Gjykata i dha të drejtë banorëve dhe organizatave mjedisore, duke konfirmuar aktvendimin e plotë të shkallës së parë dhe argumentet e tij në mbështetje të pretendimeve të paditësve.

Vendimi shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga Gjykata në Shqipëri.

Beteja ligjore ka nisur në dhjetor të vitit 2016 nga EcoAlbania, EuroNatur dhe Riverwatch, së bashku me 38 banorë të fshatit Kutë në Mallakastër. Ata kundërshtuan ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, duke pretenduar se “procedurat e ndjekura për dhënien e kontratës koncensionare si dhe procesi i konsultimeve me publikun, ishin zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe të konventave ndërkombëtare”.

Banorët dhe organizatat fituan betejën e parë në maj të 2017, kur Gjykata Administrative e Shkallës së Parë vendosi në favor të tyre.

Palët e paditura janë Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Avokati i Shtetit (në emër të Ministrisë së Energjisë) dhe shoqëria koncesionare (Kovlu Energy), të cilat apeluan vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Pas 8 vitesh Gjykata e Apelit ka vendosur të rrëzojë padinë e tyre dhe të lërë në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë.

Ndërkohë që vijonte kjo betje ligjore, banorë dhe organizata mjedisore si EcoAlbania nisën fushatën në mbrojtje të lumit Vjosa “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.

Pas një beteje të gjatë, në Mars 2023, lumi Vjosa dhe degët e tij Drino, Bënça, Shushica dhe Kardhiqi, u shpallën Park Kombëtar duke ofruar mbrojtje ligjore edhe nga 45 hidrocentralet e planifikura për t’u ndërtuar në gjithë basenin e Vjosës.

Drejtues i Eco Albania Olsi Nika në një reagim për mediat tha se “edhe pse ky vendim vjen në një tjetër realitet, pas shpalljes së Parkut Kombëtar të Vjosës, ne e konsiderojmë si një arritje për komunitetin, aktivistët dhe avokatët e angazhuar në mbrojtjen e lumit Vjosa, të cilët e kanë ndjekur këtë çështje me rigorozitet dhe vendosmëri”.

Hidrocentrali i Poçemit, ishte aktpadia e parë e një çështjeje mjedisore në Gjykatën Administrative në Shqipëri. Ajo i hapi rrugën shumë çështjeve të tjera mjedisore të ngritura nga organizatat dhe banorët për të kërkuar të drejtën për ruajtjen e pasurive natyrore të vendit.

Avokati i çështjes Vladimir Meçi tha se vendimi përfundimtar përbën një arritje në ndërtimin e praktikës gjyqësore administrative që lidhet me te drejtën mjedisore në Shqipëri.

“E gjithë ecuria e çështjes së kundërshtimit të ndërtimit të HEC-it të Poçemit në rrugë gjyqësore, është një model pioner për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e tij, përfshirë Organizatat, komunitetin, ne avokatët por edhe vetë gjykatën”, tha Meçi./Mediqa Ndërtimi

Continue Reading

Trending