Aktuale
Komuna e Prishtinës me komision synon transparencë për projekte kulturore

Komuna e Prishtinës për herë të parë ka hapur thirrje publike për njerëzit e kulturës dhe ekspertë të fushës që të bëhen pjesë e komisionit vlerësues të projekteve kulturore.
Ata që mendojnë se mund t’i hyjnë këtij procesi, kanë kohë deri më 16 të këtij muaji, shkruan sot “Koha Ditore”. Paralelisht me këtë thirrje është hapur edhe ajo për subvencionimin e projekteve kulturore në fazën e dytë.
Transparenca dhe bërja publike e atyre që e bëjnë përzgjedhjen e projekteve që financohen nga buxheti i shtetit kanë qenë kërkesat më të zëshme të komunitetit artistik tash e sa vjet. Ministria e Kulturës dhe Komuna e Prishtinës janë akuzuar për mungesë të përcaktimit të kritereve mbi bazën e të cilave vlerësohen projektet.
Çështja e definimit të kritereve ende mbetet kërkesë e komunitetit drejtuar institucioneve. Komision i cili do të përzgjidhet, do ta bëjë vlerësimin e projekteve të fazës së dytë nga fusha e botimeve, teatrit, filmit, muzikës, manifestimeve, organizimeve. Në bazë të informacioneve që përmban kjo thirrje, thuhet se kërkohet një përfaqësues nga organizatat joqeveritare dhe një përfaqësues nga shoqëria civile në cilësinë e ekspertit.
Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se në mënyrë që procesi i përzgjedhjes së këtyre projekteve të jetë sa më transparent, kanë vendosur që të bëjnë thirrje publike për anëtarë të komisionit vlerësues. Sipas tij, kjo do të ndikojë në barazi për të gjitha projektet që aplikojnë për mbështetje.
