Aktuale
Komuna e Prishtinës çon përpara vetëm njërin nga projektet për tre muze
Themelimi i Muzeut të Prishtinës me vendim të Kuvendit Komunal të kryeqytetit në tetor të vitit të kaluar u kishte hapur rrugë themelimit të tre muzeve. Parashihej që këtë vit Prishtina të bëhej me muzeun “Ibrahim Kodra”, Muzeun Përkujtimor dhe atë të Shtëpive-Shkolla.
Për të parin projekti ka rënë në ujë. Komuna dhe fondacioni “Ibrahim Kodra”, që mban dhjetëra vepra të maestros, kanë shkëputur memorandumin e bashkëpunimit. Për të dytin nuk është bërë asnjë hap, madje as procedural. E veç për të tretin është duke u punuar. Komuna e Prishtinës është në vlerësim të projekteve që kanë aplikuar pas thirrjes publike, shkruan sot “Koha Ditore”.
Sa i përket muzeut “Ibrahim Kodra”, në qershor Komuna i ka rënë vijë këtij projekti nëpërmjet një shkrese që ia ka dërguar Fondacionit që, sipas Komunës, nuk i ka përmbushur detyrimet sipas marrëveshjes. Në “Kodrën e Diellit” janë dy strehimore, njëra ishte paraparë të jetë muze përkujtimor.
“Nuk është proceduar ende ndonjë procedurë e prokurimit”, është përgjigjja që Komuna i ka dhënë gazetës për këtë projekt. Kurse sa i përket Muzeut të Shtëpive-Shkolla ka pasur lëvizje.
“Në thirrjen publike të Komunës “Konkurs projektimi për konservimin dhe adaptimin e shtëpisë-shkollë në Muzeun e shtëpive- shkolla (Lagjja e Herticëve, Prishtinë) të hapur në ditën e 26-të të gushtit të këtij viti, kanë aplikuar shtatë kompani. Sipas të dhënave të kësaj dosjeje, gjashtë projekte janë vlerësuar me pikë, kurse i shtati nuk i ka plotësuar kushtet administrative.
Ajo që njihet si Shtëpia e Herticëve gjatë luftës ishte djegur. Asaj i është vënë një kulm i montuar mbi atë që kishte, duke u ruajtur në gjendjen e lënë nga lufta. Familja e kishte ndërtuar atë shtëpi për vete, por nuk e kishte shfrytëzuar asnjë ditë.