Aktuale
Komuna e Prishtinës akuzon Kryeziun se po mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeshefit të NPB-së

Drejtori i Pronës në Komunën e Prishtinës, Dren Kukaj, ka thënë se Nexhat Kryeziu po e mban jashtëligjshëm pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të Ndërmarrjes Publike Banesore.
Në një konferencë për media me Hajdar Hoxhën, siç e quan komuna, ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv në NPB, Kukaj ka thënë se Bordi i Drejtorëve në NPB si dhe Kryeshefit Ekzekutiv i ka skaduar mandati.
“Në bazë të opinionit ligjor të lëshuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, shprehimisht thuhet se ‘kompetencat e Bordit të Drejtorëve i njihen Komisionit Komunal të Aksionarëve’. Në saje të këtij opinioni kemi gjetur bazën ligjore që ta emërojmë z. Hajdar Hoxha si ushtrues detyre të Kryeshefit Ekzekutiv”, tha ndër të tjera Dren Kukaj. “Një grup njerëzisht në NPB, përkatësisht ish-Kryeshefi Ekzekutiv, Nexhat Kryesiu, dhe ish-anëtari i Bordit të Drejtorëve, Liridon Latifi, po qëndrojnë aty jashtëligjshëm. Bordit të Drejtorëve i ka skaduar mandati në janar të këtij viti, kurse Kryeshefit Ekzekutiv në fund të marsit. Pra, i kemi dy organe, që qëndrojnë pa mandat brenda ndërmarrjes dhe pamundësojnë funksionimin e saj”, tha Kukaj.
Në anën tjetër, Hoxha ka thënë se Inspektorati i Punës ka hedhur poshtë një vendim të fundit të Kryeziut për suspendimin e ish-udhëheqësit të financave, Bashkim Beha. Sipas njoftimit nga Komuna e Prishtinës, Hoxha ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës për të ushtruar detyrën e tij.
“Shkelje të tilla po ndodhin për çdo ditë. Sot kemi pranuar edhe një raport nga Inspektorati i Punës, lidhur me suspendimin e ish-udhëheqësit të financave, Bashkim Beha, nga ana e ish-Kryeshefit Ekzekutiv, Nexhat Kryeziut. Inspektorati i Punës hedh poshtë vendimin e Kryeziut, dhe i jep të drejtë z. Beha. Ky vendim përveç tjerash i shkakton pasoja financiare ndërmarrjes, ngase tani duhet ta paguajmë retroaktivisht z. Beha për 4 muaj që nuk ka ushtruar funksionin e tij”, tha Hoxha.
