Aktuale
Komuna e Podujevës heq dorë nga projekti i ujësjellësit nga Vrella
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/05/vrella.jpg)
Komunarët e Podujevës kanë hequr dorë nga realizimi i projektit nga Vrella e Revuçës, që i bën me ujë të pijes shtatë fshatra të kësaj ane (Metehi, Zakut, Dobërdol, Kërpimeh, Pakashticë e Epërme dhe Pakashticë e Poshtme dhe vetë fshati Revuçë).
Ky projekt, që kishte nisur në vitin 2006, është ndërprerë menjëherë pasi disa banorë të Revuçës e kanë kundërshtuar një gjë të tillë. Nga atëherë asgjë nuk ka lëvizur. Ndërkohë, mjetet që i kishin grumbulluar banorët e këtyre fshatrave vazhdojnë të mbesin në Bankën Qendrore. Zyrtarët komunalë thonë se janë duke shqyrtuar zgjidhje të tjera për këta banorë, shkruan sot Koha Ditore.
“Në pamundësi të realizimit të projektit të ujësjellësit ‘Vrella e Revuçit’, Komuna është duke shqyrtuar mundësinë e sigurimit të një burimi tjetër natyral të ujit, ose edhe kyçjen në rrjetin e ujësjellësit publik të KRU ‘Prishtina’, të atyre fshatrave që ishin paraparë të furnizohen me ujë nga ky projekt”, ka thënë zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi.
“Mjetet e grumbulluara nga banorët në vlerë prej 70 mijë eurosh ruhen në Bankën Qendrore, në xhirollogarinë e Komunës, përmes Ministrisë së Financave. Në qoftë se banorët kërkojnë kthimin e mjeteve, atëherë Komuna do të veprojë sipas procedurave ligjore, në bashkëpunim me komisionet e fshatrave. Këto mjete nuk mund të tërhiqen individualisht, sepse në xhirollogarinë e Komunës janë derdhur si tërësi, kurse Komuna nuk disponon me regjistra individualë për participuesit”.
Por banorët po e kundërshtojnë dorëzimin e Komunës për mosrealizimin e këtij projekti. Ramadan Zymeri, që është përfaqësues i fshatit Metehi, ka thënë se Komuna nuk duhet të heqë dorë nga ky projekt.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)