Aktuale
Komuna e Lipjanit zvarritë procesin për leje ndërtimore

Komuna e Lipjanit ka zvarritur çështjen e lejeve ndërtimore. Kjo pasi që katër nga pesë mostrat e audituara nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) kanë rezultuar që ka vonesa nga 16-118 ditë më shumë se sa është koha e paraparë për lëshimin e lejeve dhe përcaktimin e kushteve të ndërtimit, raporton Ndërtimi.info.
Kjo sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ka ardhur si pasojë e neglizhencës së personave kompetent për shqyrtimin e aplikacioneve për leje ndërtimore.
Përveç kësaj ka pasur edhe mos informim të aplikantëve për dokumentacionin e nevojshëm që duhet ta sjellin si dhe afatin se kur duhet të dorëzohet ky dokumentacion për të marrë leje ndërtimore.
ZKA-ja, ka theksuar se kjo vonesë për lëshimin e lejeve ndërtimore paraqet rrezik për Komunën e Lipjanit.
“Neglizhenca e komunës për respektimin e afateve ligjore rrit rrezikun e arkëtimit të këtyre të hyrave sipas parashikimeve dhe komuna i ekspozohet rrezikut për tu paditura nga qytetar për shkak të vonesave. Gjithashtu kjo mund të rezultojë edhe me ndërtimin jo legal të objekteve për shkak të vonesave në shqyrtimin e kërkesave të qytetarëve”, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.
Gjithashtu, Zyra Kombëtare e Auditimi, ka dhënë edhe rekomandime për kryetarin e Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, të kërkojë raport me shkrim nga Drejtoria e Urbanizimit për çdo tejkalim afati gjatë lëshimit të lejeve ndërtimore bashkangjitur me arsyetimin për vonesat eventuale me qëllim të monitorimit dhe pajisjes leje dhe kushte ndërtimore brenda afatit të paraparë ligjor./Ndërtimi.info/
