Featured
Komuna e Lipjanit lëshon leje mjedisore pas dhënies së lejes së ndërtimit

Parregullsi në shqyrtimin e kërkesave për leje të ndërtimit dhe mjedisore janë gjetur edhe në Komunën e Lipjanit. Në këtë komunë, lejet mjedisore po lëshohen edhe pa pranuar pagesën paraprakisht.
Madje, ka raste kur leja mjedisore po lëshohet pas dhënies së lejes së ndërtimit, ani pse leja mjedisore duhet t’i bashkangjititet kërkesës për leje të ndërtimit para se të shqyrtohet kërkesa, shkruan Ndërtimi.info
“Në një rast “konkluzioni mbi kompensimin për lëshimin e lejes së ndërtimit” (kalkulimi i taksës administrative dhe tarifës për rritje të densitetit) nuk është nënshkruar nga tre personat përgjegjës si dhe komuna ka lëshuar lejen mjedisore pa pranuar pagesën paraprakisht.
Kërkesës për leje të ndërtimit i bashkëngjitet edhe leja mjedisore komunale si provë para se të shqyrtohet kërkesa. Në një rast raporti shqyrtues i komisionit për leje mjedisore dhe lejen mjedisore si dokument ishin lëshuar/ofruar pas dhënies së lejes së ndërtimit”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit për Komunën e Lipjanit për vitin 2017.
Nga Auditori po konsiderohet se veprimet e tilla mund të shkaktojnë parregullsi ligjore si dhe të rrisin rrezikun e mos inkasimit apo vonesës në inkasimin e të hyrave nga lejet mjedisore.
ZKA-ja rekomandon Kryetarin e Komunës që të të sigurojë që është ndërmarrë një shqyrtim i kontrolleve në lidhje me menaxhimin e procesit për leje ndërtimi dhe që kontrollet janë ridizajnuar për ta adresuar problemin.
“Proceset e rishikuara duhet të sigurojnë që të respektohet kronologjia e proceseve dhe komuna mos të ofrojë shërbim pa u kryer pagesa”, thuhet në raportin e Auditorit./Ndërtimi.info
