Featured
Komuna e Kaçanikut hap tenderin 40 mijë eurosh për asfaltimin e kësaj rruge

Komuna e Kaçanikut ka publikuar njoftimin për kontratë, për asfaltimin e rrugës “Beteja e 25 Majit”, segmenti Sepetin-Imisht.
Sipas njoftimit të kontratës, ky segment rrugor me gjatësi prej 810 metrash parashihet të kushtojë rreth 40 mijë euro, transmeton Ndërtimi.info.
Kohëzgjatja për reailzimin e projektit është 60 ditë që nga dhënia e kontratës.
Ky projekt do të realizohet me procedurë të hapur teksa data e fundit për dorëzimin e tenderit është 22 mars 2019, në ora 14:00, në Zyrën e Prokurimit.
Në muajin gusht të 2018-s, Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Komunën e Kaçanikut kishin nënshkruar një marrëveshje me vlerë të 429 mijë e 180 eurosh, për asfaltimin e rrugëve në këtë komunë.
E nga marrëveshja ishte paraparë realizimi i tri projekteve rrugore; asfaltimi i rrugëve lokale në qytetin e Kaçanikut, në vlerë prej 151,741 euro, asfaltimi i rrugëve Lushi, Gërlicë, Gabrricë, Trupaj, Rezhancë-Dullovi të Kaçanikut, në vlerë prej 214,355 euro dhe asfaltimi i rrugës që lidh fshatin Nikë me magjistralen N2, në vlerë prej 63,084 euro.
Kujtojmë se gjatë muajit nëntor të vitit 2018 banorët e fshatit Elezaj, Stagovë dhe Kaçanik i Vjetër patën përfituar asfaltimin e disa rrugëve dhe rrugicave nga buxheti vetanak i Komunës me mbështetje të Ministrisë së Infrastrukturës në vlerë prej rreth 100 mijë eurosh.
Ndërkohë që sipas komunarëve në këtë vend pritet të realizohen edhe shumë projekte tjera infarstrukturore./Ndërtimi.info/







