Aktuale
Komuna e Junikut në protestë për mbrojtjen e lumit “Ereniku i Vogël”
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/proteste.jpg)
Banorët e Komunës së Junikut së bashku me Shoqërinë Civile, organizatat e dala nga lufta dhe bizneset lokale do të mbajnë një protestë të premten më 19 korrik, në ora 10:00, për të mbrojtur Lumin Erenik.
Për këtë ka njoftuar Komuna e Junikut në faqen e saj zyrtare, duke thënë se protesta do të ndodhë për tu kundervyer punimeve të Komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për devijimin e rrjedhës natyrale të tij, veprim të cilin komuna e quan të paligjshëm.
“Protesta organizohet kundër vendimeve dhe veprimeve të paligjshme të Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifkimit Hapësinor, për marrjen e Lumit Erenik dhe devijimin e rrjedhes natyrale të tij”, thuhet në njoftimin e Komunës së Junikut.
Komuna ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në protestë, e cila do ta bëjë nisjen nga qendra e Junikut dhe do të mbahet në vendin kupo bëhen punimet.
Për këtë veprim të Komunë së Gjakovës dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte reagruar edhe i pari i Komunës së Junikut, Agron Kuqi. Ai i kishte dërguar ftesë publike Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, që të shfuqizojë vendimet për kryerjen e punimeve që po bëhen në Parkun Nacional të Bjeshkëve të Nemuna.
Sipas Kuqit veprimet që po bëhen janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
“Veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave”, thuhej në reagimin e kryetarit.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)