Aktuale
Komuna e Junikut, e shqetësuar me devijimin e rrjedhës natyrale të lumit “Ereniku i Vogël”, kërkon ndërhyrjen e Kryeministrit
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2019/07/auto_ereniku_i_vogel_junik_-_agron_kuci1563302471.jpg)
Agron Kuçi, kryetar i Komunës së Junikut, ka dërguar një ftesë publike kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, në lidhje me shqetësimet e qytetarëve të komunës që ai drejton në lidhje me punimet që po zhvillohen në Parkun Nacional të Bjeshkëve të Nemuna.
Kuçi thotë se “punimet dhe veprimet e paligjshme përgjatë tërë Parkut Nacional të Bjeshkëve të Nemuna për marrjen e Lumit ‘Ereniku i Vogël’ nga ana e Komunës së Gjakovës, KRU Gjakova dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor”, po vazhdojnë.
Kjo, sipas tij, ndikon në devijimin e rrjedhës natyrale – historike të këtij lumi!
“Punimet po vazhdojnë përkundër faktit se Komuna e Junikut dhe qytetarët e saj kanë dorëzuar kërkesën dhe peticionin për shfuqizimin e vendimeve lidhur me këtë çështje në zyrën tuaj me datë 26.04.2019”, thotë Kuçi.
Më tej, kryetari i Komunës, duke iu drejtuar Kryeministrit, thotë se “veprimet që po bëhen janë të paligjshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin Nr.04/L-147 për Ujërat e Kosovës, Ligjin Nr.04/L-086 për Parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna’, Ligjin Nr.03/L-025 për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin Nr.03/L-233 për Mbrojtjen e Natyrës dhe me Normat, Konventat Ndërkombëtare të Ujërave”.
“Andaj, mbi këtë bazë, bashkë me shqetësimin legjitim të qytetarëve të komunës sonë, Ju bëjmë Ftesë Publike që si Kryeministër i vendit dhe Kryetar i Këshillit Ndërministror të Ujërave të Kosovës, të veproni ligjërisht dhe t’i shfuqizoni këto vendime. Veprimi i juaj bën që Ju, të mos viheni në anën e qytetarëve të Junikut, Rekës, Lugut dhe as të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, z. Ardian Gjinit por në anën e së drejtës, ligjshmërisë dhe interesit të përgjithshëm”, ka theksuar kryetari i Komunës së Junikut, Agron Kuçi.
![](https://ndertimi.info/wp-content/uploads/2022/04/logo-ndertimi.png)