Aktuale
Komuna e Ferizajt ndërron gypin e ujësjellësit në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani”
Komuna e Ferizajt ka filluar sot realizimin edhe të një projekti më rëndësi për jetën e qytetarëve.
Bëhet fjalë për ndërrimi i gypit të ujësjellësit për banorët që jetojnë në rrugën “Bajram dhe Gursel Sylejmani”, transmeton InfoKomuna.
Punimet për këtë projekt i pa nga afër edhe kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa i cili u shpreh i kënaqur edhe së shpejti banorët e kësaj ane do të kenë furnizim më të mirë dhe të mjaftueshëm.
Ndërkaq drejtori për Infrastrukturë, Gafurr Ilazi shpjegoi se nevoja për ndërrimin këtij gypi ka qenë e kamotshme ndërsa tani me projektin e zgjerimit të rrugës është parë e arsyeshme që fillimisht të bëhet edhe ky investim nëntokësor.
“Në bashkëpunim edhe me kompaninë rajonale për furnizim me ujë “Bifurkacioni” kemi vendosur që të bëjmë ndërrimin i këtij gypi për arsye se janë evidentuar shumë humbje. Komunës së Ferizajt ky projekt i kushton rreth 86 mijë euro dhe gjatësia e gypit është afërsisht 3 kilometra. Në kuadër projektit janë paraparë kyçjet e të gjitha shtëpive në këtë gyp”, tha drejtori Ilazi.
Veç zyrtarëve komunalë fillimit të këtij projekti i janë gëzuar edhe udhëheqës të kompanisë përgjegjëse për furnizim me ujë “Bifurkacioni”.
Nazif Asllani drejtor i kësaj kompanie pohoi se gradualisht po përmirësohet rrjeti i furnizimit në gjithë Ferizajn.
“ Jo vetëm në këtë pjesë ku kemi pasur mjaft humbje të ujit, por edhe në shumë pjesë të Ferizajt po planifikojmë investime të reja. Ky gyp i ri do të evitojë shumë humbje të ujit prandaj është mjaft i rëndësishëm për furnizimin e qytetarëve me ujë dhe përmirëson gjendjen e përgjithshme në këtë sektor.” deklaroi drejtori Asllani.
Pas investimeve për ndërrimin e gypit të ujësjellësit në rrugën “Bajram e Gursel Sylejmani” së shpejti pritet të zhvillohen punimet edhe për zgjerimin e rrugës i cili konsiderohet ndër projektet më të rëndësishme të kësaj ane.