Aktuale
Komuna e Drenasit: Për ta hapur udhëkryqin në Komoran duhet të ndiqen procedurat
Komuna e Drenasit ka dhënë sot një sqarim për hapjen e ish- udhëkryqit të Komoranit për të treguar për opinionin se një gjë e tillë është jo ligjore dhe e rrezikshme e që kjo u përdor vetëm për përfitime politike.
Sipas komunës për të hapur udhëkryqin do të duhej fillimisht të diskutohej me ekspertë, por që një gjë e tillë nuk nodhi, madje nuk u prezantua asnjë vendim apo leje.
“Fillimisht, për hapjen e ish-udhëkryqit të Komoranit do të duhej të ndiqen procedura të nevojshme, si dhe të bëhen vlerësime nga ana e ekspertëve të komunikacionit, dhe se asnjë person, në asnjë rrethanë, nuk mund të marr vendime të kësaj natyre, pa respektuar në përpikëri legjislacionin në fuqi, ku në rastin e lartcekur nuk është prezantuar asnjë vendim, pëlqim apo leje”, thuhet në reagimin e Komunës së Drenasit.
Pas kërkesës për informim që Inspektorati i kishte bërë Ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, ky i fundit sipas Komunës i kishte kërcënuar ata duke iu thënë se mund të inicioj kallëzime penale.
“Për këtë çështje, duke marrë parasysh shqetësimin e qytetarëve tanë, Inspektorët Komunal me mirëkuptim kanë kërkuar të informohen nga Ministri në largim, Pal Lekaj, se a ka vendim të kësaj natyre. Mirëpo, të njëjtit nuk kanë hasur në bashkëpunim, dhe për më tepër ata kanë marrë kërcënime nga ana e Ministrit Lekaj, i cili iu është përgjigjur se mund të inicioj ‘Kallëzime Penale’ për inspektorët tanë”, thuhet në komunikatë.
Komuna gjithashtu ka njoftuar se aksidentet do të ktheheshin në këtë pjesë, njësoj si në kohën para se të ndërtohej autostrada M9 dhe se për çdo aksident do të duhej të merrëshin vendime nga organet e drejtësisë, që shkaktarët të viheshin para drejtësisë.
Ministria e Infrastrukturës e ka hapur dje udhëkryqin në Komoran të Drenasit. Por, kjo hapje po konsideohet se është bërë në mënyrë të jashtëligjshme.
Në hapje të këtij udhëkryqi mori pjesë edhe ministri në detyrë, Pal Lekaj.
“Udhëkryqi i Komoranit duhet të jetë në dobi të qytetarëve. Prandaj sot e zhbllokuam për qarkullim të lirë, me kërkesë të banorëve dhe bizneseve të vendit”, ka shkruar ai.