Arkitekturë
Komplekset e banimit pa fusha sportive – problem prej të ’80-tave [fotoarkiv – “RILINDJA”]

Ndërtimi dhe planifikimi janë procese që rrallë herë ndodhë që të ekzektuohen dhe të mos ketë vërejtje, harresa apo huqje. Një tekst i vitit 1980 në të përditshmën “Rilindja” pikaste problemin e mungesës së fushave sportive në komplekset e banimit të atëhershme, që nuk ishin të vogla fare.
Problemi thuhej se ishte sepse fëmijët s’po kanë ku të lozin, pasi edhe hapësirat tjera po zihen nga automjetet dhe që fëmijët janë vënë kosha basketbolli pranë rrugëve apo në vende të papërshtatshme. Ky problem jo që është rritur në ditët e sotme, por është vështirë të gjesh komplekse banesore që kanë të paktën një fushë për fëmijë.
Lexoni tekstin origjinal të këtij problemi:
Ndonëse shumë komplekse të reja të banimit në Prishtinë janë ndërtuar me një stil të bukur arkitektonik dhe në vende të qëlluara, BVI-ja e banesave dhe lokalit afarist ende sikur po i kushton pak kujdes ndërtimit të objekteve përcjellëse përreth këtyre banesave shoqërore.
Bie fjala, sot e kësaj dite në asnjë lagje të këtillë nuk u ndërtua ndonjë fushë sportive, që do t’u shërbente fëmijëve e jo vetëm atyre, por lojëra të ndryshme sportive dhe rekreacion. Fëmijët si fëmijët, në mungesë të këtyre objekteve, duke mos pasur ku të lozin, shpeshherë për këtë qëllimi po i shfrytëzojnë autoparkingjet, trotuaret, rrugët madje edhe pjesët e gjelbëruara përreth banesave. Në shumë vende të “Aktashit”, lagjeve “Dardania”, “Kodra e Diellit”, “Lakrishtë”, e të tjera, fëmijët kanë vënë koshat për basketboll në disa vende dhe buzë rrugëve, që sado-kudo t’i krijojnë vetës argëtim.
Kështu, ata duke mos menduar më shumë, në këto “fusha” sportive të improvizuara, jo vetëm se po bëjnë dëme materiale duke thyer dritare, apo dëmtuara gjelbërimin edhe ashtu të paktë, por shpeshherë, duke vrapuar pas topit u bien trup rrugën duke rrezikuar jetën e tyre.
Mbase fëmijët për këtë më së paku janë fajtorë, sepse loja është pjesë dhe nevojë e fëmijërisë së tyre. Andaj kësaj çështjeje kompetentët duhet t’i kushtojnë kujdes të madh, veçmas në lagjet që janë në ndërtim e sipër si dhe ato që planifikohen të ndërtohen në të ardhmen, ku përveç objekteve të tjera përcjellëse, medoemos të parashihen edhe të gjitha objektet dhe fushat për rekreacion dhe argëtim sportive të fëmijëve dhe të rinisë.
Se terrenet e tilla janë më së të domosdoshme, s’do mend, kësaj çështjeje në qytetet e tjera ë ngjashme, bile edhe më të vogla se Prishtina, i kanë dhënë rëndësinë që duhet t’i japin.
