Aktuale
Kompanitë e autobusëve protestojnë para objektit të Komunës së Prishtinës

Pakënaqësitë për 21 autobusët e rinj që erdhën të dielën e kaluar në Prishtinë, vazhduan edhe sot.
Pronarët e kompanive të linjave private të autobusëve në Prishtinë: 3A, 5, 7, 6, 7B, 7A dhe 10, kanë protestuar kundër vendimit të Komunës për të futur autobusët e rinj në linjat e tyre.
Sipas tyre, ardhja e këtyre autobusëve po ua merr udhëtarët që kanë për destinacion këto linja. Madje ata kanë thënë se që nga koha kur kanë filluar qarkullimin, u ka rënë puna, ndërsa kanë deklaruar se deri më tani nuk kanë pasur asnjë takim me zyrtarë nga Komuna.
Por, një gjë të tillë e mohon zyrtari i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri. Ai tha se deri më tani kanë pasur disa takime me ta dhe ka shtuar se nuk do të ndërrojnë qëndrim.
“Ne kemi takuar ata disa herë gjatë javës së kaluar, dhe nesër do t’i takojmë prapë. Përsëri, qëndrimi ynë është i njëjtë, situatën e njëjtë do ta sqarojmë, nuk u merren linjat, në disa prej stacioneve takohen autobusët e linjave private dhe me ato të linjave publike. Ne ka tash e pesë vjet që e promovojmë dhe e bëjmë reformën në trafikun urban, reformën e së cilës, dhe operatorët duhet t’i përshtaten, e jo të ndodh e anasjelltas”, tha Tahiri, raporton KsP.
Ndërkohë, përfaqësuesit e kompanive private pritet të takohen nesër me të parin e kryeqytetit, Shpend Ahmeti, duke shpresuar se do të arrijnë të gjejnë një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët.
21 autobusët e rinj që erdhën të dielën e kaluar në Prishtinë, u vunë në qarkullim nga e hëna. Që nga ajo ditë kompanitë private të urbanëve kanë shprehur pakënaqësitë e tyre.
