Aktuale
Kolonia e Artistëve e nisur para një dekade pret edhe 110 mijë euro

Për Koloninë e Artistëve që ndodhet në fshatin Bardhosh, shteti deri më tani ka ndarë rreth 800 mijë euro. Por Qendra e Arteve e Kosovës do të kërkojë edhe 110 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, për ta mbuluar një pjesë që ka mbetur pa kulm dhe për ta rregulluar infrastrukturën e objektit. As kjo shumë nuk mjafton për ta finalizuar e për këtë shpenzimet do t’i bartin shfrytëzuesit e hapësirave.
Bartësit e projektit të iniciuar para më shumë se një dekade, të cilëve u skadoi leja për shfrytëzim të pronës ende pa e finalizuar objektin, japin afat të ri për fillimin e punës dhe do t’ia mësyjnë të kërkojnë edhe një herë buxhet nga shteti, shkruan sot Koha Ditore.
Për Koloninë e Artistëve që ndodhet në fshatin Bardhosh − e projektuar më 2003, për të cilën punimet nisën më 2009 − shteti deri më tani ka derdhur rreth 800 mijë euro.
Por Qendra e Arteve e Kosovës do të kërkojë edhe 110 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, për ta mbuluar një pjesë që ka mbetur pa kulm dhe për ta rregulluar infrastrukturën. Shkurti i vitit që vjen përmendet si afat i radhës për rifillimin e punës, ndërkohë që nuk janë nënshkruar në tërësi as kontratat me artistët që janë në listë për ta marrë një hapësirë në objektin e Kolonisë së Artistëve.
Afati paraprak për akomodimin e artistëve në atelienë e objektit qe dhënë fundi i vitit 2017. Në gusht të atij viti ishte thënë se për t’i funksionalizuar atelietë, artistët duhet të participojnë me një shumë rreth 5 mijë euro.
E tash gjërat kanë ndryshuar sa u përket mjeteve që do të investohen aty, por gjatë gjithë vitit 2018 nuk është bërë thuajse asgjë konkrete, përveç marrëveshjeve me artistët.
